Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 22 January 2013

Ju lutem ta merrni këtë Dhuratë të re të Shërimit që Unë jua paraqes tani

E Martë, 15 Janar 2013, në 22:50

Bija Ime fort e dashur, ndërsa ky Mision vazhdon të rritet dhe të zgjerohet nëpër botë, ai do të vijë me mrekulli të reja, të cilat, në Dashurinë dhe dhembshurinë Time, do t'u dhurohen atyre që vuajnë tmerrësisht. Kur Unë erdha herën e parë, Mëshira Ime u përhap tek ata shpirtra që kishin nevojë për Ndihmën Time.

Do të ketë nga ata që do të ndjejnë mungesën e besimit dhe që do të pësojnë vuajtje të tmerrshme fizike. Atyre që vijnë tek Unë, Unë do t'ua lehtësoj vuajtjen. Unë do ta bëj këtë për ta ndezur besimin tek shpirtrat e tyre, por do të jetë vetëm me anë të Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, përmes së cilës ata mund të shërohen.

M’i sillni Mua vuajtjet tuaja. M’i sillni Mua shqetësimet tuaja. Ma sillni Mua dhimbjen tuaj. Ejani tek Unë, përmes lutjeve tuaja, dhe Unë do të dëgjoj. Unë dëshiroj që t'ju marr të gjithë në Krahët e Mi të Shenjtë dhe t'ju mbroj.

Ju lutem ta merrni këtë Dhuratë të re të Shërimit që Unë jua paraqes tani. Ajo është në formën e një Lutjeje të Kryqëzatës dhe do të kurojë në mendje, trup dhe shpirt.

Me anë të kësaj lutjeje, Unë ju dhuroj Dhuratën e çmuar të Shërimit. Duke e recituar atë, ju do ta kuptoni se kjo kërkesë për ndihmë do të sjellë mbi ju, dhe mbi ata që ju i përfshini në këtë lutje, dhurata të mëdha nga Qielli.

Si e tillë, ajo vjen me një mbrojtje të veçantë për ripërtëritjen e atyre që janë të humbur, që janë të pasigurt për besimin e tyre, dhe që ndjejnë shqetësim. Ata mund të jenë duke vuajtur nga dyshimet. Ata mund të jenë duke vuajtur nga sëmundje fizike, të cilat po e shkatërrojnë aftësinë e tyre për të më lejuar Mua që t'iu sjell paqe, dashuri dhe ngushëllim.

Për ta marrë këtë bekim për shërim ju lutem të recitoni këtë Lutje të Kryqëzatës.

Lutja e Kryqëzatës (94) Për të shëruar mendjen, trupin dhe shpirtin

O Jezus i dashur, unë dergjem para Teje, i dërrmuar, i sëmurë, me dhimbje dhe me një dëshirë të madhe për të dëgjuar Zërin Tënd.

Le të më preki Prania Jote Hyjnore, që Drita Jote Hyjnore të më vërshojë përgjatë mendjes, trupit dhe shpirtit tim.

Unë kam besim në Mëshirën Tënde.

Unë e dorëzoj plotësisht dhimbjen dhe vuajtjen time përpara Teje dhe kërkoj që Ti të më dhurosh Hirin për të pasur besim tek Ti, në mënyrë që Ti të më shërosh nga kjo dhimbje dhe errësirë, që të bëhem përsëri i plotë dhe kështu të mund të ndjek Udhën e së Vërtetës dhe të lejoj Ty të më udhëheqësh drejt jetës në Parajsën e Re. Amen.


Është besimi juaj ai që duhet t’ju preokupojë, së pari. Pastaj, me anë të hirit të Mëshirës Sime, Unë do t'i përgjigjem kërkesës suaj për shërim, sipas Vullnetit Tim të Shenjtë.

Jezusi juaj i dashur

https://fatherofloveandmercy.wordpress.com/2013/01/15/please-take-this-new-gift-of-healing-i-present-to-you-now/