Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 26 September 2017

Hidhi të gjitha dyshimet mënjanë

E Martë, 16 Nëntor 2010, në 23:00

Shkruaje këtë bija Ime. Dyshimet që zvarriten në mendjen tënde janë të pritshme. Po, ti po tundohesh që të kthesh kokën, por ai, Mashtruesi, kurrë nuk do të fitojë ty nga Unë. Bija Ime e dashur, ti je më e fortë nga sa mendon sepse fare pak shpirtra të zgjedhur do të ishin në gjendje ta përmbushnin këtë kërkesë të madhe të shenjtë në mënyrën që ti e ke bërë. Kërkohet guxim për të përballuar mënyrën me të cilën Unë komunikoj me ty. Ti nuk u largove me vrap e trembur nga frika. Ti e dije që në fillim se ky ishte një Komunikim Hyjnor nga Hierarkia më e lartë dhe Më e Shenjtë.

Ti do të përjetosh sqarime të mëtejshme së shpejti të cilat do të heqin të gjitha dyshimet e tua. Kur kjo të ndodhë mendja jote do të hapet më tepër për të marrë këto hire të veçanta që duhet të hidhen mbi ty për të të mbushur me kurajon dhe vendosmërinë që kërkohet për të ndihmuar në kryerjen e kësaj profecie.

Po, bija Ime, për habinë tënde ti je e zgjedhura për të përmbushur profecitë e përmbajtura në Librin e Gjonit për të përgatitur njerëzimin për pastrimin që do të tregohet së shpejti. Kur frika, hezitimi dhe pasiguria të largohen nga ti, bija Ime e dashur, ti do të ngrihesh dhe do ta përfundosh këtë detyrë shumë të veçantë që Unë të kërkoj. Tani bëj ashtu si të them Unë. 

Ti duhet të recitosh Mëshirën Time Hyjnore në orën 3, çdo ditë, për të ndihmuar në shpëtimin e shpirtrave. 

Ti duhet të vazhdosh të thuash Rruzaren e dhënë botës nga Nëna Ime më e shtrenjtë e cila punon me Mua për t’ju përgatitur për Ardhjen Time të Dytë në këtë Tokë.

Shumë shpirtra janë të humbur për Mua tani, me gjithnjë e më shumë të tjerë që po rrëmbehen prej Meje çdo ditë nga i ligu. Ata nuk duhet të merren nga Unë. Të lutem më ndihmo Mua të shpëtoj shpirtrat e tyre të gjorë. Hidhi të gjitha dyshimet mënjanë. Thjesht kujto detyrën tënde. Ndihmo që të hapen sytë e tyre për t’ia bërë të mundur që të shpengohen në sytë e Atit Tim të Përjetshëm. Vetëm po të vazhdosh të mendosh për rezultatin përfundimtar, ti do ta kuptosh përse kjo është e rëndësishme dhe përse kjo është një thirrje e bërë prej Dashurisë së Pastër që Unë mbaj për të gjithë fëmijët e Mi në Zemrën Time.

Mendo për të në këtë mënyrë. Dashuria e një prindi të devotshëm nuk njeh kufi. Nëse një fëmijë humbet dhe endet në udhën e përhumbjes, hidhërimi dhe shqetësimi i shkaktuar dhe i ndjerë nga prindi është si një shpatë që e shpon zemrën. Çdo prind që i do fëmijët e tij do të përpiqet të luftojë për ta deri në fund. Ata kurrë nuk dorëzohen. Kurrë. Po kështu është edhe me Mua. Unë do të bëj gjithçka në Fuqinë Time Hyjnore, pa ndërhyrë me vullnetin e lirë të njeriut për t’i kthyer zemrat e tyre tek Zemra Ime e Shenjtë. Ti, bija Ime, do të më ndihmosh Mua ta bëj këtë.

Unë nuk kam nevojë të të kujtoj ty mbi rëndësinë e bindjes dhe braktisjes së plotë tek Unë. Kjo është thirrja për të cilën ti je zgjedhur. Merre shpatën tënde tani. Ti duhet të luftosh krah për krah me Shpëtimtarin tënd Hyjnor në një përpjekje të fundit, për të sjellë shpëtimin e të gjithë fëmijëve të Mi, përpara Ditës së Gjykimit.

Shko tani në paqe dhe dashuri për të marrë Trupin Tim sot.

Shpëtimtari juaj i dashur