Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 26 September 2017

Paralajmërimi i Madh – Një Dhuratë Mëshire

E Hënë, 22 Nëntor 2010, në 02:00

Bija Ime e dashur, Unë Jam kaq i kënaqur me mënyrën që ti i ndjek Fjalët e Mia me besim dhe bindje të plotë. Dashuria Ime për ty është e fortë. Po kështu është edhe dashuria jote për Mua. Ti tani më ndjen Mua shumë pranë zemrës tënde. Ti je një me Mua, tani, bija Ime. Unë, dhe Ati Im i Përjetshëm, ashtu si dhe Shpirti i Shenjtë – Trinia e Shenjtë, gëzojmë me përgjigjen tënde ndaj kësaj thirrjeje shumë të rëndësishme. Ne, dhe të gjithë engjëjt dhe shenjtorët ecim me ty, çdo ditë, për të të mbrojtur në këtë Punë më të Shenjtë.

Merr zemër dhe vazhdo ta mbash Dorën Time. Më lejo Mua të të udhëheq në fjalët e tua për t’i dhënë njerëzimit një mundësi për ta kuptuar më në fund të Vërtetën përpara Paralajmërimit të Madh. Ky Paralajmërim i Madh, prej Mëshirës dhe Dashurisë, si një Dhuratë e fundit ndaj fëmijëve të Mi, do të ndodhë së shpejti. Secilit prej fëmijëve të Mi do t’i tregohet jeta e tyre, mëkatet e tyre, keqbërjet e tyre dhe çdo fyerje për të cilat ata ishin përgjegjës kundrejt vëllezërve dhe motrave të tyre, e gjitha kjo gjatë një përvoje mistike. As edhe një burrë, grua apo fëmijë në këtë Tokë nuk do të përjashtohet.

Disa do të tronditen dhe trishtohen thellësisht nga mëkatet në jetën e tyre dhe menjëherë do të kthehen tek Unë, Gjykatësi i tyre i Drejtë, dhe do të shpengohen. Ata, prej dashurisë dhe trishtimit, do të kërkojnë Mëshirë.

Të tjerët do të jenë kaq të neveritur dhe të tronditur nga mënyra në të cilën mëkatet e tyre do t’ju zbulohen, saqë ata do të bien të vdekur përpara se të kenë mundësinë për të kërkuar falje.

Dhe pastaj do të jenë ata që ndjekin mashtruesin. Ata, në terrorin e tyre, kur të shikojnë mëkatet e liga në të kaluarën që t’iu shfaqen para tyre, do t’ia mbathin. Ata do të përpiqen të fshihen, por nuk kanë ku të shkojnë. Duke u luhatur, ata ose do të pranojnë çfarë shikojnë dhe të kërkojnë falje aty për aty, ose do të largohen dhe të përpëliten me turp dhe të tmerruar, por nuk do të kërkojnë Mëshirë.

Pastaj do të jetë mëkatari përfundimtar. Kur mëkatet t’i tregohen atij, gjithçka që ai do të bëjë është të argumentojë dhe të mohojë se ai i ka kryer këto ofendime të rënda kundër Urdhërimeve të Hyjit. Ai thjesht do ta mohojë të Vërtetën dhe do të kthehet drejt errësirës së Ferrit të përjetshëm.

Askujt nuk do t’i refuzohet Mëshira Ime

Përse fëmijët e Mi nuk duan ta kuptojnë këtë? Nëse ata pendohen me të vërtetë dhe dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë me Mua në Tokën e Re, ku Qielli dhe Toka do të bëhen një, përse ata nuk kërkojnë falje? Askujt nuk do t’i refuzohet Mëshira Ime e Drejtë nëse ata tregojnë keqardhje. Megjithatë, kaq të mbërthyer në ndjekjen e qëllimeve të tyre vetjake, ata nuk arrijnë t’i kuptojnë pasojat.

Zgjohuni tani, të gjithë ju. Pranoni ndryshimet që keni për të dëshmuar përmes veprave të liga të njerëzimit, shenjat që kanë qenë parathënë dhe që do të para-prijnë kthimin Tim në Tokë.

Më lejoni Mua që t’ju udhëheq për në Parajsë

Përmes kësaj profeteje dhe Librit të së Vërtetës, Unë ju bëj thirrje, edhe një herë, prej Dashurisë Sime të çmuar për të gjithë ju, kthehuni tek Unë, tani, përpara se koha të mbarojë. Më lejoni Mua që t’ju mbaj në Krahët e Mi. Le të vërshojë Dashuria Ime në mendjen, trupin dhe shpirtin tuaj. Hapini zemrat dhe më lejoni Mua që t’ju udhëheq për në Parajsën Time, në Tokë, ku ju do të gëzoni jetë të përjetshme. Përse do të dëshironit të zgjidhnit udhën tjetër të dënimit drejt askundit, kur e Vërteta iu është treguar?

Zemra Ime rënkon me shqetësim dhe trishtim kur Unë mendoj për fëmijët e Mi që thjeshtë refuzojnë ta pranojnë të Vërtetën e premtimit Tim. Unë them, edhe një herë, kthehuni tek Unë, tani, dhe flisni me Mua. Më kërkoni Mua që të kthehem në zemrën tuaj. Unë do ta bëj Veten që të përshtatet brenda shpirtit tuaj. Unë ju jap këtë premtim, madje edhe për ata shpirtrat më të ngurtë. Vetëm një fjalë është ajo që ju duhet të thoni. 

Më kërkoni Mua t’ju tregoj Praninë Time duke thënë:

“Jezus, unë ndihem i humbur. Çele zemrën time që ta pranojë Dashurinë Tënde dhe më trego të Vërtetën, që unë të mund të shpëtohem.”

Fjalët e Mia të Paralajmërimit nuk janë një kërcënim. Kjo ngjarje ka qenë njohur që nga vdekja Ime në Kryq. Përse mendoni se nuk mund të ndodhë? E Vërteta qëndron në Shkrimin e Shenjtë, që të gjithë ta kuptojnë. Unë do të veproj si Shpëtimtari juaj, deri në minutën e fundit, përpara se Unë të vij, si Gjykatës i Drejtë, që Unë të mund t’i udhëheq përfundimisht fëmijët e Mi tek familja Ime e dashurisë, gëzimit dhe lumturisë së madhe, ku të gjithë do të jetojnë në harmoni në përjetësi.

Satani dhe ndjekësit e tij do të zhyten në errësirë përgjithmonë. Familja Ime do të dëshmojë gëzimin dhe Qiej Hyjnorë, për të cilët asnjë njeri, po të provonte vetëm një shijim të asaj që premtohet, nuk do t’ia kthente shpinën kësaj lumturie të pastër në Mbretërinë e Atit Tim.

Lutuni, lutuni për falje dhe që të hyni në Mbretërinë e Atit Tim me lavdi ku ju, dhe të dashurit tuaj, do të mirëpriteni në Dritën e Dashurisë së Pastër.

Unë do të luftoj që t’ju fitoj të gjithë përsëri

Unë vdiqa për të gjithë ju dhe Unë do të luftoj për t’ju fituar të gjithë përsëri tek Unë, pavarësisht nga errësira e të ligut në botë, deri në momentin më të fundit.

Ju lutem, më lejoni Mua edhe një herë t’ju tregoj se sa shumë ju dua. Merreni Dorën Time tani, vendoseni kokën tuaj mbi Supin Tim dhe shpirti juaj i butë do të ndizet flakë me një dashuri që ju e keni harruar.

Shpëtimtari juaj i dashur