Unë vij në Emër të Birit Tim, Jezu Krishtit. Unë Jam Hyji Atë dhe dëshiroj të komunikoj me mbarë botën. Është qëllimi Im për ta përmbajtur ashpërsinë e Ndëshkimit, për t'i dhënë njerëzimit një mundësi për t'i hapur zemrat e tyre ndaj të Vërtetës së Ekzistencës Sime. Ata, fëmijët e Mi të shtrenjtë, duhet ta dinë se Unë Jam një Hyj, së pari i Mëshirës dhe pastaj i Drejtësisë.
Mëshira Ime ka qenë shtrirë në kufij të jashtëzakonshëm. Unë, për arsye të fuqisë së lutjes, do ta përmbaj Dorën Time, në Mëshirë, që kështu njeriu të mund ta dobësojë urrejtjen që është shfaqur në shumë shpirtra nëpër botë.
Bëni kujdes, fëmijët e Mi, kur Unë ju paralajmëroj se pamundësia për ta ndaluar përhapjen e mëkatit do të çojë në një ndëshkim që do të shkatërrojë shumë prej njerëzimit. Një ndëshkim i tillë nuk do të jetë dëshmuar që nga ditët e përmbytjes që e shkatërroi Tokën në kohën e Noehit.
Unë nuk do t'ju lejoj më, fëmijët e Mi mosmirënjohës, që t’i shkatërroni ata që kanë treguar besnikëri ndaj Meje. As dhe nuk do të rri dhe ta lejoj Rendin Mbarë Botëror që ta infektojë Krijimin Tim, Fëmijët e Mi, Tokën Time.
Vërini veshin tani këtij, njërit prej paralajmërimeve të fundit të dhëna njerëzimit. Largohuni tani nga udha e mëkatit dhe ju do të shpëtoheni. Largohuni tani nga përkushtimi juaj i verbër ndaj joshjes së Satanit dhe magjepsjeve të tij joshëse, të cilat ju tërheqin përmes dashurisë për vetveten dhe të mrekullive materiale. Nëse ju vazhdoni ta dëmtoni këtë botë të bukur, të krijuar prej Dashurisë për ju, ashtu si ju po e bëni, ajo nuk do të mbetet më për ju që ta dëmtoni më tej.
Unë Jam Hyji i Dashurisë, i ngadaltë në Zemërim, por Durimit Tim po i vjen fundi. Ata që vazhdojnë të lëndojnë dhe shkatërrojnë fëmijët e Mi, përmes luftës dhe kontrollit të financave botërore, ta dini se ditët tuaja janë të numëruara. Mundësia juaj e Shpengimit tani do të jetë për ju e fundit. Nëse ju nuk përgjigjeni ashtu si duhet gjatë Dhuratës së madhe të Mëshirës që është Paralajmërimi, atëherë ju dhe vartësit tuaj do të shkatërroheni.
Lavdia Ime do të njihet nga çdo burrë, grua dhe fëmijë. Ata që zgjedhin udhën drejt Mbretërisë Sime do të kenë jetën e përjetshme. Ata që nuk e zgjedhin do të përjetojnë një errësirë të tillë siç nuk mund ta imagjinonin apo ta dëshironin kurrë.
Ndjekës të Satanit, që me vetëdije e adhuroni ligësinë e tij, dëgjojeni tani premtimin Tim. Juve, fëmijëve të Mi të humbur, do t'ju ofrohet Dora e dashurisë dhe e paqes edhe një herë, gjatë Paralajmërimit. Kapeni atë, sepse do të jetë kthimi juaj në Gjirin e Dashurisë Sime. Shpërfillini thirrjet e Mia dhe ju do të vuani përjetësisht, për të mos u kthyer kurrë në gjirin e familjes Sime të dashur.
Ky tani, bija Ime, është një nga paralajmërimet më të rëndësishme për të shpëtuar vëllezërit dhe motrat tuaja nga zjarret torturuese të mallkimit të përjetshëm.
Mbreti Më i Larti
Hyji Ati i Gjithëpushtetshëm