Thursday, 12 November 2015

Ditët e Papa Benediktit janë tashmë të numëruara

E Mërkurë, 1 Qershor 2011, në 11:00
Bija Ime fort e dashur, ti sapo je vënë në sprovë përsëri, në Emrin Tim Më të Shenjtë, që të devijoje nga e Vërteta. Kjo do të jetë një ndodhi e zakonshme, sepse për as edhe një ditë mashtruesi nuk do të ndalojë të të sprovojë dhe të largojë nga kjo Punë, duke vënë dyshime në mendjen tënde.
Ti nuk duhet t’i shikosh mesazhet e vizionarëve të tjerë, apo të dëgjosh ndonjë person tjetër që pohon se vjen në Emrin Tim, nëse ata të japin ty një mesazh, i cili është në kundërshtim me Fjalën që ti merr nga Unë.
Profecitë e Mia po të komunikohen ty me saktësi, bija Ime. Satani do të vazhdojë të shkaktojë dëm dhe të të lëndojë kur ti më pak e pret. Prandaj bëj kujdes gjatë gjithë kohës. Ditët e Zëdhënësit Tim të dashur janë tani të numëruara. Ai do ta ketë lënë Vatikanin përpara se Paralajmërimi të ndodhë. Ki besim tek Unë. Të më bindesh Mua. Ti tani po përparon mirë. Por kurrë mos i hiq sytë nga Unë.
Megjithatë, mos ki frikë ta bësh jetën ashtu si ti do ta bëje normalisht, për sa kohë që lutja dhe përkushtimi ndaj Meje është një pjesë përbërëse dhe e rëndësishme. Unë do të siguroj që ti të mos jesh vetëm në këtë Punë prej tani e tutje dhe se vetëm ata që janë duke u drejtuar nga Unë do të kenë ndonjë influencë mbi gjykimin tënd.
Më beso Mua kur them, Satani nuk do t’i sabotojë Fjalët e Mia, as edhe nuk do t’i infektojë këto Mesazhe që ti i merr nga Unë. Kjo nuk do të ndodhë në këtë rast, sepse ky Mision është suprem dhe çdo mbrojtje po të ofrohet ty, bija Ime. Nëse ndonjëherë shqetësohesh për ndonjë Mesazh, thjesht ma kërko Mua përgjigjen dhe ajo do të jepet. Mos pyet njeri tjetër për pikëpamjet e tyre, sepse ata nuk janë të kualifikuar për të komentuar mbi Fjalën Time Hyjnore.
Kurrë mos u përfshij me mesazhet e vizionarëve të tjerë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do ta dëmtojë Punën tënde.
Por tani ti e di se Unë, Shpëtimtari yt dhe Mbreti i Njerëzimit, Jam në Fuqi. Asnjë njeri nuk duhet ta njollosë Fjalën Time. Asnjëherë. Të jesh mirënjohëse që po të ofrohet Dhurata e profecisë dhe m’u bind Mua në çdo kohë. Kurrë mos më ofendo Mua duke dyshuar. Këto kohë tashmë kanë kaluar. Më kërko Mua me përulësi në zemër dhe në shpirtin tënd. Qëndro e heshtur kur Fjala Ime vihet në lojë, sulmohet, mohohet, kundërshtohet dhe vihet në pyetje, sepse nuk varet nga ti që të përgjigjesh për Mua. Ti do të mësosh kaq shumë nga Unë, bija Ime, nëse do të ulesh dhe do të më dëgjosh Mua. Unë e mbush mendjen tënde me Dhuratën e dijes. Pranoje këtë Dhuratë. Mos dysho. Gëzohu me Mua.
Ky është një Mision shumë i rëndësishëm, ndryshe nga ndonjëri që Unë i kam sjellë njerëzimit që nga profetët e hershëm.
Do të kërkohet forcë nga ana jote, në terma njerëzorë. Çfarë është e rëndësishme tani është që thjesht të komunikosh me Mua përmes lutjes, Adhurimit dhe Sakramenteve të Bekuara. Gjithçka tjetër duhet të lihet jashtë kësaj. Familja jote është shumë e rëndësishme gjatë gjithë kohës. Gjithçka tjetër jashtë këtyre dy gjërave bie në një kategori shumë më të ulët.
Përpiqu të qetësohesh dhe ta ndjesh Dashurinë Time. Mos harxho kohë të vlefshme duke u merakosur. Thjesht bashkohu me Mua plotësisht dhe ti do të jesh e mbrojtur nga e keqja. Unë të dua ty, bija Ime, dhe Unë kam besim tek ti.
Shpëtimtari dhe Mësuesi juaj i devotshëm
Jezu Krishti