Kerko Mesazhet ketu

Thursday, 30 July 2015

Rëndësia dhe Fuqia e Lutjes

E Enjte, 24 Mars 2011, në 23:00

Bija Ime fort e dashur, është me kënaqësi të madhe që Unë ribashkohem me ty këtë mbrëmje. Ti tani je e mbushur me hirin e dijes dhe je shumë e qartë për udhën e drejtë që ti duhet të ndjekësh.

Më në fund, duke qenë e dorëzuar në bashkim me Mua, ti tani je e lirë. E lirë nga dyshimet, me ndërgjegje të pastër, më e fortë se më parë dhe e gatshme për t’ia zbuluar botës Premtimin Tim. Fjala Ime do të përcjellë urgjencën e nevojshme për të qenë të përgatitur që t’i hapni zemrat tuaja në momentin kur të gjithëve do t’iu tregohen mëkatet e tyre.

Duke qenë të përgatitur dhe të paralajmëruar, shumë, shumë më shumë shpirtra mund të shpëtohen. Sa më i lartë të jetë konvertimi aq më i dobët do të jetë persekutimi, që do të pasojë. Bija Ime, kurrë të mos jesh e vetëkënaqur, as të jesh e frikësuar për ngjarjet e ardhshme. Gjithçka do të kalojë dhe në vend të saj, një botë më e lumtur me dashuri kudo më të madhe.

Mesazhet thjesht për t’i kujtuar të gjithë për Ekzistencën e Hyjit

Tregoji popullit Tim kudo se këto Mesazhe janë thjesht për t’i kujtuar të gjithë fëmijët e Hyjit se Ai Ekziston. Ata duhet ta kuptojnë gjithashtu se shpirtrat e tyre janë pjesa më e rëndësishme e formimit të tyre njerëzor. Të kujdesen për shpirtin e tyre është jetike nëse do të marrin pjesë në të ardhmen e mrekullueshme që i pret të gjithë. 

Njerëzit thjesht duhet t’ia kujtojnë vetes 10 Urdhërimet dhe t’i nderojnë ato. Pastaj gjithçka që ata duhet të bëjnë është të ndjekin Mësimet e Mia dhe ta jetojnë jetën ashtu si Unë ua kam treguar atyre.

Arsyeja se pse Unë jap profeci është për t’iu provuar ndjekësve të Mi të dashur se Ndërhyrja Hyjnore po ndodh. Duke e bërë këtë Unë shpresoj që ata do t’i hapin zemrat e tyre për ta lejuar të Vërtetën që të hyjë.

Dashuria Hyjnore sjell Paqe

Shumë njerëz i shërbejnë Mësimeve të Mia sa për sy e faqe. Të tjerët, i shohin si të mërzitshme dhe monotone. Duke më imituar Mua, ata kanë frikë se mund ta humbasin kënaqësinë që ata besojnë se gjërat materiale do t’iu sjellin në jetët e tyre. Çfarë ata nuk arrijnë të kuptojnë është se e vetmja kënaqësi e vërtetë që ata mund të përjetojnë është Dashuria Hyjnore. Kjo Dashuri mund të hyjë në jetën tuaj vetëm duke u afruar, përmes lutjes së thjeshtë, tek Unë dhe tek Ati Im i Përjetshëm. Sapo ju ta përjetoni këtë paqe, ju do ta gjeni veten të çliruar nga shqetësimet dhe streset.

Asnjë numër stimuluesish të rremë nuk mund të krahasohet me euforinë që krijohet kur ju vini më pranë Zemrës Sime. Jo vetëm që kjo dashuri ju përshkon gjithë trupin, mendjen dhe shpirtin, ajo ju mundëson të jetoni një jetë më të lirë. Ju do të ndjeni një kënaqësi të thellë të panjohur nga ju më parë. Pastaj ju do të habiteni se sa pak do t’ju tërheqë bota e luksit material. Ju do ta humbisni interesin në këto gjëra dhe kjo do t’ju çudisë.

O fëmijë, sikur vetëm të përpiqeshit për t’u afruar tek Unë, ju më në fund do të bëheni të lirë. Nuk do të ndjeni më një dëshpërim të zbrazët në shpirtin tuaj. Përkundrazi, ju do të jeni më të qetë, me më pak nxitim, do të keni më shumë kohë për të treguar interes për të tjerët dhe do të ndjeheni në paqe. Kjo do të rrezatojë prej jush. Të tjerët do të tërhiqen natyrshëm drejt jush. Ju do të pyesni veten përse. Mos kini frikë, sepse ky është hiri i Hyjit në veprim. Kur ju jeni të mbushur me hir, është infektuese dhe pastaj ajo përhapet tek të tjerët përmes dashurisë. Pastaj cikli vazhdon.

Ju lutem ta kujtoni prandaj, fëmijë, rëndësinë e lutjes. Fuqinë që ajo jep dhe shpejtësinë me të cilën ajo udhëton për t’i mbështjellë të gjithë ata shpirtra fatlumë që janë të përfshirë në këtë pështjellim të dashurisë.

Rrjeti i mashtrimit të Satanit shkakton frikë

Ashtu si lutja dhe dashuria për njëri tjetrin marrin vrull, po ashtu është edhe urrejtja që pështyhet nga Satani. Mashtruesi, duke punuar përmes këtyre njerëzve që nuk kanë aspak besim, apo që merren me lojëra të errëta shpirtërore, përhap mashtrimin e tij. Rrjeta e tij e urrejtjes kap madje edhe ata në perimetrin më të largët, që mund të ndjejnë se po jetojnë një jetë disi të mirë. Kjo rrjetë e përpunuar me kujdes mund të zërë këdo që nuk është i kujdesshëm.

Një tregues i përbashkët për të gjithë ata që janë zënë në grackë është shqetësimi, ankthi, dëshpërimi dhe frika. Kjo frikë kthehet në urrejtje shumë shpejt.

Vraponi tek Unë, të gjithë ju. Mos prisni deri kur jeta juaj të kthehet përmbys nga dëshpërimi i panevojshëm. Sepse Unë Jam gjithmonë atje, duke parë, duke pritur, duke shpresuar që secili prej jush do ta hedhë poshtë krenarinë tuaj, me qëllim që Unë të afrohem dhe t’ju pushtoj. Shkoni në kishën tuaj dhe lutuni tek Unë. Më flisni Mua në shtëpi, gjatë udhës për në punë. Kudo që të jeni, vetëm më thërrisni Mua. Ju do ta dini shumë shpejt se si Unë përgjigjem.

Zgjohuni – Hapini zemrat tuaja të mbyllura

Zgjohuni, fëmijë. A nuk e kuptoni tani se ju keni nevojë për Mua? Kur do t’i hapni përfundimisht zemrat tuaja të mbyllura dhe të më lejoni Mua të hyj? Mos e çoni kot kohën e vlefshme, për të mirën tuaj dhe të familjeve tuaja. Unë Jam Dashuri. 

Ju keni nevojë për Dashurinë Time për të shuar shpirtrat tuaj të etur dhe të keq-ushqyer. Dashuria Ime, sapo ta ndjeni atë, do ta ngrejë shpirtin tuaj dhe do t’ju bëjë të ndjeni dashuri të vërtetë përsëri. Kjo dashuri do t’jua hapë pastaj mendjen ndaj të Vërtetës – premtimeve që Unë bëra për secilin prej jush kur Unë vdiqa për mëkatet tuaja në Kryq. 

Unë ju dua, fëmijë. Ju lutem të më tregoni Mua dashurinë që Unë e kërkoj nga ju. Mos qëndroni të humbur për Mua. Ka pak kohë, fëmijë, për t’u kthyer tek Unë. Mos vononi.

Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti