Kerko Mesazhet ketu

Tuesday, 7 July 2015

Si Paralajmërimi është një dhuratë për njerëzimin

E Diel, 2 Janar 2011, në 21:45
Përse janë këto Mesazhe të frikshme?
Bija Ime e dashur, kur njerëzit t’i dëgjojnë këto Mesazhe, do t’i vënë ato në pyetje, do t’i sfidojnë dhe do t’i tërheqin mënjanë. Më tepër se kaq, ata do të hedhin përbuzje mbi to dhe do të bëjnë pyetjen: Përse këto Mesazhe nuk flasin më shumë për gëzim dhe lumturi? Përse ato janë të frikshme? Sigurisht që kjo mënyrë e të komunikuarit ndaj botës nuk do të vinte nga Jezu Krishti? Sigurisht që Jezu Krishti predikon dashuri dhe jo terror? Përgjigja Ime ndaj këtyre akuzave është e thjeshtë. Është për arsyen se Unë ju dua të gjithëve që Unë e tregoj tani Mëshirën Time përmes këtyre Mesazheve. Unë vij fillimisht si Shpëtimtar për të gjithë, për t’ju çliruar, me qëllim që çdo njeri të mund të përfitojë nga shpëtimi. Vdekja Ime në Kryq ishte për t’ju dhënë një mundësi të dytë për të hyrë në Mbretërinë e Atit Tim. Këtë herë Unë kthehem si një Gjykatës i Drejtë. Ju të gjithëve tani, përmes Dashurisë Sime për ju, po ju tregohet Mëshirë nga Unë, fillimisht. Kjo Mëshirë merr formën e një Paralajmërimi paraprak për t’ju ndihmuar që t’i rregulloni jetët tuaja përpara se Unë të kthehem në Ditën e Gjykimit.
Prej Dhembshurisë Sime për secilin prej jush, Unë tani ju jap mundësinë e fundit për t’i hapur zemrat tuaja dhe t’i jetoni jetët tuaja në mënyrën e duhur.
Gëzimi mbi Tokë nuk mund të krahasohet me Gëzimin në Qiell
Kthejani shpinën tuaj mëkatit, pendohuni dhe rikthejeni lutjen në jetën tuaj. Është prej Mëshirës që Unë duhet t’ju paralajmëroj për të Vërtetën. Gëzimi që ju besoni se mungon në Mesazhet e Mia është për faktin se njerëzimi ia ka kthyer shpinën gëzimit së vërtetë. Gëzimi i ndjerë në Qiell nuk mund të krahasohet me të ashtu-quajturin gëzim që ju përjetoni mbi Tokë. Gëzimi mbi Tokë, i cili vjen nga dashuria e vërtetë, do të jetë i pastër. Gëzimi që vjen nga të mirat materiale është pa kuptim.
Bijtë e Mi, gëzimi që Unë duhet të ndjej duke ju vështruar është jetë shkurtër, për fat të keq, për shkak të asaj që Unë dëshmoj mbi Tokë sot. Gjithçka që ju e mbani për të shtrenjtë buron nga zotërimet materiale, apo përmes vlerësimeve nga të tjerët që ju lavdërojnë. Fare pak kohë i përkushtohet përgatitjes suaj për jetën tjetër.
Paralajmërimi është një Dhuratë
Mëshira Ime po ju sillet si një Dhuratë. Pranojeni atë. Shijojeni atë. Ejani tek Unë, të gjithë ju. Unë Jam varka juaj e shpëtimit në një det të tërbuar që është plot me rryma dhe shpërthime të papritura. Shpëtoni veten tani, ose do ta gjeni veten të fundosur në një rrymë të një madhësie të tillë sa nëse vendosni, në minutën e fundit, që të pranoni të hipni në varkën e shpëtimit, ju nuk do të keni fuqi të ngjiteni.
Pastrimi në botë vazhdon
Unë Jam i lodhur, fëmijë. Pavarësisht se sa shumë Unë përpiqem të komunikoj, shumë nga ju prapë e bëjnë një vesh shurdhër. Madje edhe priftërinjtë e Mi nuk i kushtojnë rëndësi thirrjes Sime kur Unë dëshiroj ta shfaq Mëshirën Time. Ndërsa Pastrimi në botë vazhdon dhe shtohet me shpejtësi, tani është koha për të thirrur fëmijët e Mi. 
Tërmete dhe fatkeqësi të tjera globale
Kurrë të mos keni frikë nga stuhitë, tërmetet, tsunamit, përmbytjet, vullkanet dhe rrymat e nxehta, të cilat do të bien mbi botë për të ndihmuar në ndalimin e antikrishtit dhe ushtrisë së tij. Ndjekësit e Mi do të jenë të sigurt duke e ditur atë që i pret ata në Parajsën e Re, e cila do të formohet kur Qielli dhe Toka të shkrihen si një. Këto gjëra duhet të ndodhin. Ato nuk mund të ndalohen pasi kanë qenë parathënë. Megjithatë, bijtë e Mi, këto ngjarje do të jenë të shkurtra.
Ju, besimtarët e Mi, do të shpërbleheni për besimin dhe qëndrueshmërinë tuaj, përballë kundërshtimit të madh. Atëherë, bijtë e Mi, gëzimi do të jetë i vështirë për t’u marrë me mend. Ata që i përkasin Dritës do të mbështillen me Lavdinë dhe Dashurinë që ju pret. Ata në errësirë nuk do të jenë në gjendje t’i qëndrojnë Dritës. Ju mund të doni ta bëni këtë, por do t’ju lëndojë aq shumë sa do t’ju duhet të fshiheni. Por nuk ka se ku të shkoni përveçse strofullës së errësirës, e cila drejtohet nga vetë mbreti i errësirës – i ligu. A është kjo çfarë ju doni?
Si Satani punon përmes njerëzve
A e kuptoni terrorin që mashtruesi përfaqëson? A nuk e kuptoni se ai fshihet pas çdo vepre të vetme të egoizmit, lakmisë dhe vetëpëlqimit? Ndërsa ju jetoni atë çfarë ju besoni të jetë jeta juaj e larmishme, e ngarkuar dhe e mbushur me kënaqësi, duke shpenzuar, duke u ushqyer, me veshjet e kota dhe në kërkim të vazhdueshëm për argëtim të mëtejshëm, ju jeni komplet të pavetëdijshëm se çfarë qëndron prapa veprimeve tuaja.
Ai zë i fshehtë, që ju nuk mund ta dëgjoni, por që e ndjeni – kur ju ndjeni një urgjencë për të vepruar, e cila ju shtyn të kërkoni, të kërkoni e të kërkoni më tepër argëtime, aventura dhe kënaqësi, vjen nga i ligu. Nuk ka rëndësi nëse veprimet tuaja ju bëjnë të buzëqeshni, të qeshni dhe përplasni duart me kënaqësi. Kjo ka fare pak peshë. Këto dëshira të forta janë krijuar për t’ju bërë që të kërkoni vetëkënaqësi të vazhdueshme. Çfarë e mire është kjo? A ju bën të ndjeheni mirë kur ka mbaruar? Sigurisht që jo. Kur ju ndaloni dhe pyesni veten, po sikur të mos i bëja më këto gjëra – çfarë pastaj? A do të kishte rëndësi? Në fillim, po, ndoshta do të ishte e mërzitshme, por është vetëm kur të keni ngelur pa asgjë që do t’ju duhet të përqendroheni vetëm në mbajtjen e vetes gjallë.
Ushqimi do të bëhet më i rëndësishëm se të mirat materiale argëtuese. Pastaj kur të keni mbetur pa ushqim dhe të jeni të uritur, ju do ta kuptoni se asnjë nga ato gjërat argëtuese të dikurshme nuk do të kenë më rëndësi. Ky është purifikimi që tani do të ndodhë së shpejti në botë. Përmes këtij purifikimi, një formë pastrimi, ju do të bëheni përsëri të plotë. Atëherë dhe vetëm atëherë ju do të jeni gati ta pranoni të Vërtetën.
Si Satani ju lë të ndjeheni bosh
Bijtë e Mi, ju nuk e shikoni Satanin në punë. Ju nuk mund ta shikoni atë, por ai e kalon gjithë kohën e tij duke u përpjekur për t’ju vjedhur nga Unë. Ai ju shkakton dhimbje të tmerrshme, fëmijë. Të gjitha tundimet që ai vë përgjatë udhës suaj përdorin joshjen materiale të parasë, bukurisë, zotërimeve dhe talentit, të cilat gllabërohen nga ju për shkak të lakmisë dhe dëshirës. Ju besoni se kur ju t’i keni grumbulluar të gjitha këto gjëra ju do të ndjeheni të kompletuar. Për fat të keq, kjo nuk është e vërtetë. Kjo është gënjeshtra që Satani përdor për t’ju vënë në kurth. Kur ata prej jush që i kanë arritur lartësi të tilla të pasurisë, zbulojnë se për ndonjë arsye ju e keni humbur atë të gjithë, atëherë të jeni mirënjohës. Sepse është vetëm kur ju vini të zhveshur nga zotërimet e botës që ju me të vërtetë mund të më lejoni Mua brenda zemrës suaj.
Mesazh për të pasurit
Për ata prej jush me pasuri – Unë nuk ju dënoj. Për shkak se ju keni mbështetje materiale, kjo nuk do të thotë se ju nuk po e ndiqni udhën e drejtë. Por ju keni një përgjegjësi për të bashkë-ndarë dhe për t’u kujdesur për ata me më pak fat se ju. Kjo është detyra juaj. Nuk është pasuria apo mirëqenia materiale që janë të gabuara. Nuk është i gabuar gëzimi dhe qeshja që ju përjetoni kur e shijoni jetën. Është kur ju bëhet fiksim dhe kur dëshira juaj për jetë luksoze merr përparësi mbi besimin tuaj dhe mbi mirëqenien e të tjerëve, që e bën këtë një fyerje në Sytë e Atit Tim.
Pasuria juaj, shtëpitë, rrobat dhe zotërimet tuaja janë si retë që kalojnë nëpër qiell. Ato gjenden atje për një minutë dhe ikin minutën tjetër. Ju nuk mund t’i merrni ato me vete në jetën tjetër. Është shpirti që do të shkojë me ju. Kujdesuni për shpirtin tuaj, tregoni dashuri ndaj njëri tjetrit dhe ndaj atyre që ju shkaktojnë ankth në këtë jetë. Ndiqni Mësimet e Mia. Lypni Mëshirën Time. Vetëm atëherë ju do të bashkoheni me Mua në Tokën e Re që është Parajsa. Mos e çoni dëm trashëgiminë dhe vendin tuaj në Mbretërinë e Atit Tim.
Jezu Krishti juaj i dashur