Fëmija im, dhimbja e duruar prej Birit tim dhe dishepujve të Tij gjatë kohës së misionit të Tij mbi tokë është identike me atë dhimbje që duhet të durohet prej ndjekësve të Tij ndërsa Ai përgatitet për të ardhur përsëri.
Gjatë kohës së Birit tim mbi tokë, Ai hasi pengesa shumë të mëdha. Shumë pak vetë ishin të përgatitur për ta dëgjuar Atë brenda vetë komunitetit të Tij.
Ai u trajtua me përçmim dhe përbuzje prej atyre që ishin në krye të tempujve dhe të sinagogave.
Megjithatë Ai u mirëprit nga njerëzit e thjeshtë dhe fjala e Tij u pranua sepse ata mund ta shikonin të Vërtetën që Ai fliste.
Fjala e Tij krijonte frikë dhe pasiguri në shumë qarqe, por pak vetë mund ta shpërfillnin urtinë e mësimeve të Tij.
Biri im krijonte përçarje edhe pse ky nuk ishte qëllimi i Tij.
Sjellja e Tij e thjeshtë do të thoshte se fare pak njerëz mund ta pranonin faktin se Ai ishte Biri i Hyjit.
Shumë pyesnin se si ishte e mundur që Biri i Njeriut të ishte një njeri i zakonshëm kaq i thjeshtë?
Ata e mohonin Atë sepse mendonin se Mesia do të ishte madhështor, krenar dhe do të komandonte urdhra në nivelet më të larta të kishës.
Biri im nuk mundi t’i bënte ata që ishin në atë kohë në krye të kishës, që ta dëgjonin Atë. Krenaria e tyre i pengonte ata për ta dëgjuar të Vërtetën.
E njëjta gjë do të ndodhë tani ndërsa Biri im e përgatit botën për Ardhjen e Tij të Dytë.
Kisha e Birit tim në tokë nuk do të dëgjojë në këtë kohë, megjithëse ata e dinë se si u trajtua Biri im herën e parë.
Këtë herë Fjala e Tij e Shenjtë, që po të jepet ty, profetit të kohës së mbarimit, nuk do të pranohet në Kishën e Birit tim në tokë.
Kisha e Birit tim bën një vesh shurdhër ndaj dhuratës së profecisë. Ata e mohojnë profecinë sepse nuk duan të dëgjojnë.
Dishepujt e Birit tim do të refuzohen nga ata që janë në krye të Kishës Katolike në tokë dhe do të akuzohen të jenë të rremë.
Edhe pse mësimet e Birit tim kurrë nuk kanë ndryshuar, ata do të gjejnë gabime në Fjalën e Tij të Shenjtë që po iu jepet tani.
Ata do t’i deklarojnë këto mesazhe të jenë në kundërshtim me Fjalën e Hyjit.
Ju, fëmijë, gjithmonë duhet ta kujtoni se Biri im nuk mund të binte kurrë në kundërshtim me Kishën e Tij në Tokë, sepse Ai është vetë Kisha.
E Vërteta është po ajo që ishte gjithmonë.
Ju duhet ta ndiqni Fjalën e Hyjit sepse zëri i Birit tim është duke u hedhur mënjanë dhe duke u shpërfillur ashtu siç ndodhi herën e parë.
Mos ia lejoni vetes që t’ju mohohet Dhurata e Shpëtimit të Tij, vepra e fundit e Mëshirës së Tij mbi tokë.
Kaq i duruar ka qenë Biri im, për një kohë kaq të gjatë. E Vërteta iu qe dhënë njerëzimit në Mundimin e Birit tim mbi Kryq.
Ajo është përforcuar përmes gjithë atyre shpirtrave të zgjedhur që ishin ndriçuar prej fuqisë së Shpirtit të Shenjtë përgjatë shekujve.
Tani ka ardhur koha për Birin tim që të vijë përsëri dhe vetëm ata që e njohin zërin e Tij, përmes Dhuratës së Shpirtit të Shenjtë, do t’i ndjekin udhëzimet e Tij.
Kisha, ashtu siç bënë ata gjatë kohës së Birit tim në tokë herën e parë, do ta refuzojë fjalën e Tij ndërsa Ai përgatitet për Ardhjen e Tij të Dytë.
Ata nuk do të arrijnë që ta njohin Atë apo ta pranojnë Atë.
Ata nuk kanë mësuar asgjë.
Lutuni që ata shpirtra të guximshëm brenda Kishës, që e njohin zërin e Tij, të kenë kurajon për t’i drejtuar të gjithë fëmijët e Hyjit drejt jetës së përjetshme në këtë kohë vendimtare të historisë.