Kerko Mesazhet ketu

Wednesday, 29 January 2014

Hyji Atë: Unë kam pritur me durim për një kohë shumë të gjatë për t’i mbledhur fëmijët e Mi, përsëri, në Vullnetin Tim Të Shenjtë

E Hënë, 27 Janar 2014, ora 17:18

Më e dashura bija Ime, sa shumë ti trëmbesh kur është kaq e panevojshme. Kur Unë i jap botës një Dhuratë të kësaj shkalle, ajo bëhet prej ndjenjës së detyrës, që lind prej Dashurisë Sime të Madhe për të gjithë fëmijët e Mi.

Unë ju paralajmëroj për t’ju mbrojtur të gjithëve ju. Unë ju tregoj pjesë të Vetes Sime në çdo Mesazh të vetëm që Unë të jap ty për botën. Tek ty, bija Ime, Unë tregoj dëshirën Time të madhe për t’u afruar me fëmijët e Mi. Unë ju tregoj Dhembshurinë Time, Gëzimin Tim, Mosaprovimin Tim, Zemërimin Tim, Dashurinë Time dhe Mëshirën Time. Përse atëherë, kur Unë përpiqem t’ju arrij kështu, ju keni frikë nga Unë? 

Ju kurrë nuk duhet të keni frikë nga një Atë i Cili i do të gjithë fëmijët e Tij dhe në veçanti mëkatarët, që e kundërshtojnë hapur çdo Ligj të dhënë ty nga Unë për të sjellë njerëzimin në Mirësinë Time.

Fëmijë, qëndroni gati për të pranuar Mëshirën Time të Madhe. Hapini zemrat tuaja për të më mirëpritur Mua, Atin tuaj të dashur. Pregatituni për të më përshëndetur Mua dhe për të më thirrur Mua çdo herë që frika i mbërthen mendimet tuaja, kur ju përpiqeni t’i kuptoni këto Mesazhe. 

Këto Mesazhe janë të vetmet. Ato i tregohen botës prej Trinisë së Shenjtë. Ato konsiderohen nga Unë të jenë Misioni më i rëndësishëm në Tokë që nga koha kur Unë dërgova Birin Tim të Vetëm për t’ju shpenguar ju.

Kjo, Fjala Ime, duhet të pranohet me një zemër bujare dhe mirënjohëse. Mirëpritini Fjalët e Mia. Të jeni të kënaqur me dijen se gjithçka që 
është, mbetet dhe gjithmonë do të mbetet brënda Urdhërit Tim. Unë Jam gjithçka që Është dhe që do të Jetë. Të gjitha vendimet, si për të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e botës që do të vij, qëndrojnë me Mua. Unë kurrë nuk do t’ju trëmbja ju qëllimisht, fëmijë. 

Çfarë Unë do të bëj është t’ju pregatis ju për Mbretërinë Time të Re, me qëllim që ju të jeni të denjë të hyni në të – kur e gjithë dhimbja dhe dëshpërimi nuk do të jenë më.

Të jeni të qetë, fëmijët e Mi të bukur dhe të dëshirueshëm. Ju jeni gjithçka për Mua. Unë përfshij këtu të gjithë ju. Të gjithë mëkatarët. Të gjithë ata që nuk do të më njohin Mua. Të gjithë ata që e adhurojnë Satanin. Të gjithë fëmijët e Mi besnikë. Ata shpirtrat e të cilëve janë rrëmbyer. Ju më përkisni vetëm Mua. Unë nuk do të lejoj asnjë shpirt të shpërfillet në këtë, përpjekjen Time të fundit, për ta pregatitur botën për Ardhjen e Dytë të Birit Tim të Dashur.

As edhe një prej jush nuk do të mbetet i paprekur nga Dora Ime e Mëshirës. Më lejoni Mua t’i hap zemrat tuaja që të bekoheni nga Dora Ime.

Më thoni Mua “Ati më i dashur, kape dhe preke trupin dhe shpirtin tim me Dorën Tënde të Mëshirës. Amen.” Unë do t’i përgjigjem menjëherë thirrjes suaj.

Shkoni, të vegjëlit e Mi, dhe të jeni të qetë, sepse Ndërhyrja Ime do të jetë Hiri i shpëtimit tuaj, pavarësisht se sa e vështirë do të jetë koha që do të vij. Unë do të jem duke pritur për të hapur Derën drejt Parajsës Sime të Re me Dashuri në Zemrën Time, ndërsa Unë ju bëj thirrje të vini tek Unë, Ati juaj.

Unë kam pritur me durim për një kohë shumë të gjatë për të mbledhur fëmijët e Mi, përsëri në Vullnetin Tim të Shenjtë. Ajo Ditë është afër dhe Zemra Ime gëzon në pritje të momentit kur njeriu të kthehet në vëndin e tij të duhur pranë Meje.


Ati juaj i Dashur
Hyji Më I Larti