Kerko Mesazhet ketu

Sunday 17 January 2016

Frika për Paralajmërimin nuk është diçka që Unë e inkurajoj

E Mërkurë, 10 Gusht 2011, në 23:00

Bija Ime fort e dashur, shpejtësia e ngjarjeve globale, që çojnë drejt Paralajmërimit, ashtu si është parathënë, vazhdon të rritet. Lutja, fëmijët e Mi, është thelbësore tani ndërsa ndjekësit e Mi në mbarë botën, të mbushur me hiret e Shpirtit të Shenjtë, marshojnë për të formuar ushtrinë Time. Kjo ushtri, edhe pse tepër e vogël në atë që shumë nga ndjekësit e Mi akoma duhet ta kuptojnë se secili prej tyre luan një rol të rëndësishëm edhe tani, do të ngrihet dhe do t’i udhëheqë fëmijët e Mi deri në fund.

Të gjithë fëmijët e Mi duhet të më dëgjojnë Mua tani.

Për çdo mizori të kryer nga njeriu kundër njeriut në këto kohë, ju duhet të luteni për keqbërësin në çdo rast. Lutje për mëkatarët kërkohet tani. Me anë të lutjes ju mund të thërrisni Shpirtin e Shenjtë që ta sjellë Dritën Hyjnore në këta shpirtra të gjorë. 

Shumë prej tyre janë kaq të verbër ndaj të Vërtetës së Dashurisë së Atit Tim saqë ata enden kot vërdallë duke u zhytur nga njëra krizë në tjetrën, ku kushdo që bie në kontakt me ta lëndohet. Nëse më shumë nga ju e kërkojnë Mëshirën Time për këta mëkatarë, atëherë efekti i veprave të të ligut do të dobësohet në mënyrë të konsiderueshme. Ky është sekreti, fëmijët e Mi, për ta dobësuar urrejtjen e Satanit, ndërsa shpërthen si zjarri prej gojës së dragoit, në përpjekje për ta mbërthyer botën në avullin e vet të urryer.

Ai, mashtruesi, dhe djajtë e tij janë ngado. Meqenëse besimi i fëmijëve të Mi është kaq i dobët, në një shkallë globale, veprat e liga të Satanit e kanë mbërthyer njerëzimin në një ves nga i cili është vështirë që të shkëputesh. Nëse fëmijët e Mi ngado do të besonin në Ekzistencën e Hyjit Atit të Gjithëpushtetshëm, kjo nuk do të ndodhte. Atëherë mbërthimi i Satanit do të ishte më i dobët, sidomos nëse fëmijët e Mi do të luteshin për ndihmë dhe të kërkonin Mëshirën e Atit Tim.

Lutja është mburoja juaj tani, fëmijë, midis së tashmes dhe kohës për Paralajmërimin. Përdoreni lutjen për të shpëtuar shpirtrat në errësirë. Pas Paralajmërimit, lutjet tuaja do të nevojiten për t'i ndihmuar fëmijët e Mi që ta ruajnë përkushtimin e tyre ndaj Atit Tim të Përjetshëm dhe ta lavdërojnë Lavdinë e Tij.

Durimi, lutja në heshtje çdo ditë, formimi i grupeve të lutjes, recitimi ditor i Kurorëzës së Mëshirës Hyjnore, agjërimi dhe Rruzarja e Shenjtë tek Nëna Ime e dashur, të kombinuara, veprojnë si formula e përkryer për të shpëtuar shpirtrat.

Frika për Paralajmërimin nuk është diçka që Unë e inkurajoj. Lutuni tani për shpirtin tuaj dhe të të tjerëve përmes Veprës së Shpengimit dhe përpara takimit tuaj ballë për ballë me Mua, Shpëtimtarin tuaj të dashur.

Unë buzëqesh me gëzim dhe lumturi kur mendoj për momentin kur kjo Dhuratë e madhe e Mëshirës Sime t'iu zbulohet fëmijëve të Mi. Ajo është një ardhje në shtëpi, e tillë që s’mund të përshkruhet. Sepse kjo do të jetë kur zemrat tuaja do të mbushen me Dashurinë Time Hyjnore. Shpirtrat tuaj do të ndriçohen, më në fund, në përgatitje për Parajsën e Re mbi Tokë. Atëherë Unë do t'ju sjell ngushëllimin që mungon në jetët tuaja deri tani kur ju të bashkoheni me Mua.

Mos harroni, fëmijë, arsyen përse Unë komunikoj me botën tani. Është dëshira Ime të siguroj që të gjithë fëmijët e Mi të shpëtohen nga kthetrat e Satanit. Është gjithashtu, prej Dashurisë Sime të thellë, të papërshkrueshme për secilin prej jush që Unë duhet ta shtrij Dorën Time që ju të mund të bashkoheni me Mua që t'ju përgatis për t’u kthyer përsëri në shtëpinë që ju përket.

Frika nuk vjen nga Unë. Unë ju dua, fëmijë. Unë po ju sjell këtë Dhuratë të lavdishme prej Dashurisë Sime. Gëzohuni, buzëqeshni dhe më mirëprisni Mua kur Shenja të shfaqet në qiell. Ngrehni krahët dhe këndojini lavde Hyjit Atë, që po ma lejon Mua këtë mundësi të fundit për t'ju shpëtuar.

Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti, Mbreti i Mëshirës