Mësimet e Mia, të cilat kurrë nuk kanë ndryshuar qëkur Shkrimet e Mia të Shenjta përfunduan me Librin e Zbulesës, janë tani duke u sfiduar.
Ka pasur një numër sfidash, opinionesh dhe vlerësimesh teologjike mbi Fjalën Time të Shenjtë përgjatë shekujve.
Shumë njerëz të ditur i kanë vënë në pyetje udhëzimet dhe Mësimet, që Unë i dhashë njerëzimit.
Disa nga Mësimet e Mia u copëtuan, u analizuan, u kërkuan interpretime të reja dhe më pas u pranuan.
Dhe prapë kjo ka qenë e panevojshme, sepse e Vërteta i ishte dhënë njeriut nga profetët që erdhën përpara Meje dhe më pas nga Unë, gjatë kohës Sime në Tokë.
E Vërteta kurrë nuk ka ndryshuar. E Vërteta është e thjeshtë.
Informacione të tjera, që nuk përmbahen në Shkrimin e Shenjtë u dhanë, si Dhuratë për botën, përmes shpirtrave të zgjedhur, për një arsye të vetme. Për t'ju ndihmuar të meditoni mbi Sakrificën Time për njerëzimin dhe për t'ju treguar dhe rikujtuar Dashurinë që Unë e mbaj në Zemrën Time për të gjithë fëmijët e Hyjit.
Të gjitha Zbulesat Hyjnore të dhëna botës sot janë për t’ju ndihmuar që të përgatiteni për Jetën e Përjetshme.
Mësimet e Mia, të nderuara nga Kisha e Shenjtë Katolike dhe Apostolike, janë tani duke u sulmuar në të parën prej shumë sfidave, që do të çojnë në ndarjen e Kishës.
Ligje të reja do të futen për t'iu përshtatur opinionit modern dhe që të jenë në pajtim me ata të cilët, me krenari në shpirtrat e tyre, ndjejnë më shumë nevojën për ta qetësuar njerëzimin, sesa të tregojnë bindje ndaj Mësimeve të Kishës.
Unë Jam Kisha. Kisha ishte themeluar nga Unë dhe ajo nuk mund të vdesë kurrë.
Shumë, përfshirë ata nga brenda, dhe po ashtu nga jashtë Kishës, do të përpiqen ta shkatërrojnë strukturën e saj.
Lutuni që Zëdhënësi Im i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, të mund të qëndrojë i fortë në mes të kundërshtimit që ai tani ndesh.
Kjo është një përpjekje e qëllimshme, prej atyre që janë të lidhur me profetin e rremë për të krijuar një kishë të re.
Këta njerëz dinakë do të donin që ju të besonit se ajo do të jetë e njëjta Kishë, por ajo nuk mund të jetë.
Si mundet Kisha Ime, me ligje të reja, me versione të shtrembëruara të së Vërtetës që Unë i dhashë botës, të më përfaqësojë Mua?
Ajo nuk mundet. Ja përse Ati Im do ta drejtojë Kishën e Tij, besimtarët e vërtetë besnikë, nga Qiejt.
Ai do t’i mbajë çelësat, deri në Ardhjen e Dytë, kur Jerusalemi i Ri, Kisha e Vetme e Vërtetë Katolike, do të ngrihet nga hiri për t’u rivendosur nga të gjithë fëmijët e Hyjit, të gjitha fetë, të gjitha besimet si një.
Kjo është mënyra e parashikuar për të qenë në bashkim të plotë dhe përfundimtar në Epokën e Re të Paqes në Tokë.