Kerko Mesazhet ketu

Tuesday, 5 June 2012

Lutjet mund t’i evitojnë ligësitë që po planifikohen duke nxitur përdorimin e bombave bërthamore

E Martë, 29 Maj 2012, në 17:42

Bija Ime fort e dashur, profetët e Mi, lajmëtarët e Mi dhe të gjithë vizionarët e vërtetë në botë janë duke u bashkuar shpirtërisht për ta shpallur Fjalën Time të Shenjtë në këtë kohë.

Ata që janë zgjedhur për misionin e vështirë, për të siguruar që shpirtrat e gjithë njerëzimit të jenë të përgatitur për Ardhjen Time të Dytë, janë duke u udhëzuar për t’i bërë thirrje botës.

Ata shumë shpejt do të bëjnë thirrje për lutje urgjente për t’i ndihmuar ata që do të vuajnë në luftërat që do të vijnë.

Koha është afër që luftërat të shpërthejnë dhe shumë shpirtra të pafajshëm do të jenë viktima në këto terrore të mbushura me urrejtje kundër fëmijëve të Hyjit. 

Shumë do të çorientohen në drejtime të ndryshme në këto luftëra dhe shumë çoroditje do të ekzistojë në Lindjen e Mesme.

Shumë luftëra të vogla do të përshkallëzohen.

Kaq shumë anë të ndara fillimisht në të gjitha drejtimet, do të shkrihen në vetëm një numër të vogël palësh.

Pastaj ushtritë e mëdha do të përfshihen me shumë kombe që do të bashkohen.

Sa derdhen lotët e Mi për këtë ligësi të tmerrshme të drejtuar përmes influencës së Satanit i cili kërkon të vrasë sa më shumë njerëz të mundet dhe sa më shpejt të mundet.

Lutuni që këto luftëra të dobësohen.

Lutuni që fëmijët e Hyjit, përmes lutjeve te tyre, të mund t'i evitojnë ligësitë që po planifikohen duke nxitur përdorimin e bombave bërthamore. 

Bija Ime më e dashur, Satani do të bëjë çdo gjë në fuqinë e tij në këtë kohë për ta inkurajuar Kishën Katolike që të dënojë ty dhe që t'i deklarojë këto mesazhe si herezi.

Ti duhet t'i shpërfillësh këto sulme. Të gjithë ata që i ndjekin mësimet e Mia duhet vetëm të ndjekin zemrat e tyre, sepse do ta kenë të lehtë për ta dalluar të vërtetën.

Nëse profetëve të Mi nuk do t'iu jepeshin hiret nga Qielli për t’i rezistuar persekutimeve të tilla, atëherë Fjala Ime e Shenjtë, udhëzimet e Mia për t’i përgatitur të gjithë fëmijët e Hyjit për Ardhjen Time të Dytë nuk do të dëgjoheshin.

Po të mos ishte për këmbënguljen kokëforte të të gjithë profetëve të Hyjit dhe lajmëtarëve të Hyjit, që nga fillimi i kohës, atëherë fëmijët e Hyjit do të mbeteshin të paditur.

Njëherë e mirë që dija t’ju jepet juve, ndjekësve të Mi të çmuar, ju kurrë nuk duhet të keni frikë, sepse ju po ndiqni udhën e Jetës së Përjetshme. Cilado udhë tjetër, pavarësisht nga tundimet madhështore, por pa asnjë vlerë, që ju tërheqin drejt kurtheve të botës, nuk do t'ju çojnë drejt Meje. 

Sepse, kur gënjeshtrat rreth Eukaristisë Sime të Shenjtë të fillojnë të dalin, ju duhet të jeni trima dhe të largoheni.

Lutuni për forcë, vendosmëri dhe kurajo për të më ndjekur Mua në Udhën përfundimtare drejt Shpëtimit.

Jezusi juaj i dashur