E Enjte, 10 Maj 2012, në 15:45
Unë derdh lot trishtimi për priftërinjtë, brenda Kishës Katolike, të cilët vuajnë tmerrësisht në këtë kohë.
Këta shërbëtorë të pastër, të hutuar dhe të përhumbur, janë zënë në mes të përçarjes, nga e cila nuk mund të çlirohen.
Për shkak të mëkateve të të tjerëve, ata vuajnë torturën tek shikojnë se besnikëria ndaj Birit tim të dashur po hidhet mënjanë.
Këto përçarje të liga, të shkaktuara nga grupet Masonike, janë të qëllimshme. Mëkatet e atyre që janë fajtorë për fyerjet e shkaktuara mbi shpirtra të pafajshëm po përdoren, si një justifikim, për t’i ndryshuar ligjet që qeverisin Kishën.
Shumë po mashtrohen prej një ndjenje të rreme të besnikërisë ndaj fëmijëve të Hyjit.
Sa vuaj unë kur shikoj muret e Kishës Katolike të çmontohen, tullë pas tulle, për t’i hapur udhën një kishe të re.
Kisha e re, e cila do të shfaqet së shpejti, nuk do të jetë e pranueshme për Birin tim.
Përkundrazi, ajo do ta shfuqizojë praninë e Eukaristisë së Shenjtë dhe Biri im do t’i vuajë dhimbjet e Kryqëzimit të Tij përsëri edhe një herë.
Sakrifica që Ai bëri, për t'ia dhënë botës këtë Dhuratë, do të shpërfillet dhe refuzohet së shpejti.
Në të kundërt, ata, kisha e re, nuk do t’iu tregojnë fëmijëve të Hyjit se Eukaristia është Prania e Vërtetë e Jezusit, Birit tim.
Ata do të krijojnë një kuptim të ri për Eukaristinë e Shenjtë dhe nuk do të arrijnë ta sjellin Praninë e Birit tim. Ushqimi i jetës do të zhduket. Fëmijët e Hyjit nuk do të ushqehen me Trupin dhe Gjakun e Vërtetë të Birit tim.
Shpirtrat e tyre do të bëhen të tharë, të zbrazur nga Prania e Birit tim dhe nga Hiret që Ai u dërgon atyre që e marrin Atë.
Ka një detyrim nga ana e priftërinjve për ta mbrojtur Eukaristinë e Shenjtë. Ata duhet të jenë të fortë dhe kurrë të mos e dobësojnë këtë Dhuratë të Çmuar dhe të Shenjtë.
Biri im e do Kishën Katolike dhe e di se sa ajo vuan pikërisht tani. Ai e ndjen dhimbjen e saj.
Zemra Ime e Papërlyer është e copëtuar në dysh, nga dhimbja, tek e shikoj këtë Tempull të Shenjtë duke u shkatërruar qëllimisht.
Lutuni, lutuni, lutuni tek Hyji Atë në Emër të Birit të Tij të Dashur që të tregojë mëshirë mbi ata brenda Selisë së Shenjtë që duan ta përçajnë Kishën dhe t’i shpërndajnë fëmijët e Hyjit në greminën e dëshpërimit.
Ju lutem recitoni këtë Lutje të Kryqëzatës (53) për t'u lutur për Kishën Katolike.
Lutja e Kryqëzatës (53) Lutje për Kishën Katolike
O Hyji Atë, në Emër të Birit Tënd të dashur, unë të lutem Ty të japësh forcën dhe Hiret e nevojshme për t’i ndihmuar priftërinjtë t’i bëjnë ballë persekutimit që po durojnë. Ndihmoji ata t’i përmbahen të Vërtetës së Mësimeve të Birit Tënd, Jezu Krishtit, dhe që kurrë të mos luhaten, dobësohen apo t’i nënshtrohen gënjeshtrave mbi Ekzistencën e Eukaristisë së Shenjtë. Amen.
Nëna juaj e dashur