Tuesday, 1 May 2012

Më ndihmoni ta përgatis botën për Ardhjen Time të Dytë

E Diel, 22 Prill 2012, në 15:30
Bija Ime fort e dashur, njerëzimi duhet ta dijë se koha kur Unë të paraqitem përpara një bote mosbesuese nuk është shumë larg.
Të gjithë fëmijët e Hyjit që janë besimtarë të devotshëm duhet që tani, për hir të besnikërisë së tyre ndaj Meje, Jezusit të tyre të dashur, të më ndihmojnë Mua ta përgatis botën për Ardhjen Time të Dytë.
Kaq shumë kohë ka qenë vënë tashmë në dispozicion, për t’i afruar shpirtrat brenda Zemrës Sime të Shenjtë.
Kjo ishte e rëndësishme sepse, pa këtë kohë, fare pak shpirtra do të ishin në gjendje të hynin në Parajsën Time të Re.
Unë ju bëj thirrje të gjithëve, në Emrin Tim të Shenjtë, të më lejoni Mua që t'ju udhëzoj për t'ju ndihmuar të shpallni të vërtetën e mësimeve të Mia në çdo skaj të botës.
Predikojini mësimet e Mia të thjeshta, të parat.
Dashuria për të afërmin pritet nga të gjithë ata që thonë se janë ndjekësit e Mi.
Flisni vetëm për Ardhjen Time të Dytë.
Cilitdo që ju dënon, kujtojini se premtimi Im për të ardhur përsëri në lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit ka për t’u përmbushur gjatë jetës së këtij brezi.
Shpirti Im i Shenjtë do t’i vërshojë shpirtrat e atyre, të cilëve ju i jepni Fjalën Time të Shenjtë.
Por më parë ju duhet të ma kërkoni Mua këtë hir të veçantë. Përpara se Unë të lejoj që ju ta bëni këtë punë tejet të shenjtë, Unë ju bëj thirrje që të ma kërkoni Mua këtë hir përmes recitimit të Lutjes së Kryqëzatës (48).
Lutja e Kryqëzatës (48) Lutje për Hirin për të Shpallur Ardhjen e Dytë të Krishtit
O Jezusi im, më dhuro Hirin për të shpallur Fjalën Tënde të Shenjtë tek i gjithë njerëzimi, që shpirtrat të mund të shpëtojnë.
Vërshoje Shpirtin Tënd të Shenjtë mbi mua, shërbëtorin Tënd të përulur, që Fjala Jote e Shenjtë të mund të dëgjohet dhe të pranohet, sidomos nga ata shpirtra që kanë më shumë nevojë për Mëshirën Tënde.
Më ndihmo të nderoj Vullnetin Tënd të Shenjtë në çdo kohë dhe kurrë të mos i fyej apo t’i dënoj ata që e refuzojnë Dorën e Mëshirës Tënde.
Amen.
Shkoni tani, ushtria Ime, sepse ju është dhënë armatura që ju duhet për të kthyer në besim njerëzimin.
Ju do të pësoni tallje në misionin tuaj, do të fyheni dhe do të sfidoheni.
Dijeni se kur kjo të ndodhë, ju do të jeni me të vërtetë një fëmijë i Hyjit.
Mos kini frikë sepse Unë do t’ju jap forcën për t’i kapërcyer të tilla pengesa.
Unë do t'ju udhëheq në tërë udhën. Shkoni në paqe dhe dashuri.
Jezusi juaj i dashur