Bija Ime fort e dashur, për çdo Mesazh të ashpër që Unë iu jap të gjithë fëmijëve të Hyjit, gjithmonë kujtoje se Dashuria Ime është përherë e Mëshirshme.
Durimi Im është i gjithë-durueshëm dhe Unë do ta shpëtoj çdonjërin person që e kërkon Mëshirën Time, pavarësisht nga pesha e mëkateve të tyre.
Sa shumë Unë dëshiroj t’i çliroj të gjithë nga mbërthimi i mashtruesit, i cili e shtrëngon fort kapjen e tij mbi secilin nga shpirtrat që ai i ka joshur, saqë shumë vetë janë të pafuqishëm kundrejt forcës së tij.
Asnjë njeri të mos mbetet pa e kuptuar këtë. Kur ju e keni shitur shpirtin tuaj, vullnetarisht, tek Satani, ai nuk do t'ju lërë të shkoni të lirë. Vetëm Unë mund t'ju çliroj.
Kur këta shpirtra, të cilët janë të humbur për Mua për shkak të jetëve mëkatare që ata bëjnë, përpiqen për t’i ndryshuar udhët e tyre, edhe ata gjithashtu, do të luftojnë kundër bishës. Sepse kjo është një bishë e acaruar dhe e egërsuar.
Për shumë njerëz, madje edhe ata që janë të përkushtuar ndaj Meje, Jezusit të tyre, bisha do të bëhet si një gjemb në brinjë për ta herë pas here. Asgjë nuk do ta ngopë atë derisa ju të dorëzoheni ndaj tundimit të tij, i cili ndryshon nga personi në person.
Për shkak se secili prej jush është një mëkatar, dhe do të vazhdojë të jetë i tillë derisa ju të jeni pastruar prej mëkatit, pranojeni mëkatin si një fakt, por luftojeni atë.
Ju që më njihni Mua nga afër, ju e dini se ju mund të besoni në Mëshirën Time, gjithmonë.
Ju e dini rëndësinë e mbajtjes së komunikimit ditor me Mua. Kjo mund të jetë e thjeshtë sikur të jeni duke biseduar me Mua gjatë ditës suaj të punës. Kjo është një kohë e përkryer për të më ofruar Mua sakrifica të vogla.
Nëse dikush ju lëndon, ofrojeni këtë sprovë tek Unë, me qëllim që Unë të mund të shpëtoj shpirtra për shkak të saj.
Nëse jeni të shqetësuar rreth mundimeve që hasni, mbi të cilat nuk keni asnjë kontroll, ju duhet të më lejoni Mua që t'jua heq barrën.
Shumë njerëz punojnë orë të gjata dhe të vështira brenda dhe jashtë shtëpisë. Gjithçka që Unë ju kërkoj është të ktheheni tek Unë me mendimet tuaja kur keni nevojë për mbështetje dhe ndihmë, sepse Unë do t’i përgjigjem lutjes suaj.
Kurrë mos e bëni gabimin të mendoni se ju mund të komunikoni me Mua vetëm gjatë kohës suaj në Kishë, ose para dhe pas marrjes së Sakramenteve të Shenjta. Unë jam aty në çdo moment të ditës. Unë i përgjigjem çdo kërkese, nëse ajo është sipas Vullnetit Tim të Shenjtë.
Dishepujt e Mi të dashur, ju jeni të gjithë fëmijë të Hyjit. Unë ju bashkoj, komb me komb, që të mund të sjell paqe dhe bashkim në mes të kaosit, që do të vijë.
Më lejoni Mua t'ju sjell në Familjen Time të Shenjtë dhe ju do të forcoheni.
Pastaj ju do të ngriheni dhe do të vërshoni përpara, të ripërtërirë dhe me një urdhër të ri, për të udhëhequr ushtrinë Time, e cila akoma nuk është formuar në shumë vende.
Qëndroni besnikë ndaj udhëzimeve të Mia.
Ju lutem ta përhapni Vulën e Hyjit të Gjallë ngado. Ajo nuk duhet të shitet. Ajo duhet të jetë e disponueshme për të gjithë. Jepini kopje të gjithë atyre që kanë nevojë për t'u mbrojtur.
Ndarja mes ndjekësve besnikë, atyre që e pranojnë Librin e Atit Tim, Biblën Më të Shenjtë, dhe atyre që duan të ndryshojnë të Vërtetën, do të bëhet më e gjerë.
Njëra gjysëm nuk do të devijojë nga e Vërteta.
Gjysma tjetër do ta shtrembërojë të Vërtetën.
Ata do ta bëjnë këtë për t'iu përshtatur motiveve të tyre politike dhe personale, të cilat do të jenë të fshehura prapa një gjuhe të kuptueshme.
E Vërteta së shpejti do të deklarohet të jetë një gënjeshtër dhe faji do t'i jepet Hyjit.
Ata do të deklarojnë pa asnjë respekt se ligjet e zbatuara nga zëdhënësi Im i Shenjtë janë të vjetëruara dhe se nuk i përshtaten shoqërisë moderne.
Çdo argument dinak do të jetë në konflikt të drejtpërdrejtë me Ligjet e Hyjit, që do të rezultojë tek kjo.
Këta njerëz duan të fusin ligje, që e legalizojnë mëkatin. Ata nuk e duan Hyjin. Ata thonë se e duan, dhe shumë prej tyre që i reklamojnë të tilla ligje janë ateistë, por që nuk i zbulojnë besimet e tyre të vërteta.
Shumë prej planeve të tyre përfshijnë ndalimin e ligjeve të Krishtera.
Nga njëra anë, ata i tolerojnë ligjet, të cilat i lejojnë gratë t’i abortojnë fëmijët për shkak të zgjedhjeve të stilit të jetesës. Ata përdorin argumentin e zgjedhjes, por kjo zgjedhje ka të bëj me nevojat e nënës dhe jo të fëmijës.
Shumë gra do të torturohen pasi ta kenë shkatërruar jetën në këtë mënyrë. Shumë prej tyre do të ndjejnë një ndjesi humbjeje, sepse në zemrat e tyre ato do ta kuptojnë se jeta që shkatërruan ishte e krijuar prej Hyjit.
Çdo argument i fuqishëm dhe bindës do të bëhet për të sjellë legjislacionin e abortit. Çdo dredhi do të përdoret për të fituar mbështetje, e cila çon në atë që aborti t’iu paraqitet të gjithëve. Për këtë mëkat, Unë do t’i rrënoj vendet e tyre.
Mëkati i abortit i shkakton Atit Tim dhimbje të madhe dhe Ai nuk do të lejojë që kjo të vazhdojë.
Shtetet, të cilat vazhdimisht përpiqen ta bëjnë atë të mundshëm tek sa më shumë gra dhe që e reklamojnë atë të jetë një gjë e mirë, do të shfarosen dhe do të pësojnë një ndëshkim nga i cili nuk mund të ketë asnjë shërim.
Ata do të jenë fajtorë për mëkatin e vrasjes dhe do të jenë një nga grupet e para që do të vuajnë dhimbjen gjatë Paralajmërimit.
Hyji nuk do të lejoj që ju t’i prekni jetët që Ai krijoi.
Ndëshkimi i Tij do të dërgohet përmbi ju në formën e tërmeteve dhe shumë shtete do të vazhdojnë të marrin ndëshkim pas ndëshkimi deri në ditën e Zotit.
Aborti dhe vrasja do të jenë dy mëkatet për të cilat Ati Im do të dërgojë një ndëshkim të rëndë përmbi botë.
Mëkati, dishepujt e Mi, është diçka si një njollë, që e errëson shpirtin tuaj çdo ditë. Por kur ju jeni në gjendjen e hirit, mëkati zvogëlohet. Sa më shumë që ju merrni Sakramentet e Kungimit të Shenjtë dhe të Rrëfimit, aq më të mëdhaja hiret që ju merrni.
Për ju që e ndiqni Meshën ditore, hire shumë të veçanta ju jepen. Sepse ju, ndjekësit e Mi të devotshëm, do të kaloni përmes Portave të Parajsës Sime me shpejtësi.
Shkoni tani dhe kaloni pak më tepër kohë me Mua. Bisedoni me Mua. Unë e pëlqej bisedën e lehtë dhe ajo më sjell Mua më pranë jush. Unë ju pres. Unë e pres afrimitetin që e dëshiroj, në mënyrë që të mund t'ju sjell më pranë Meje.
Ju mund të ndërtoni një lidhje të mrekullueshme me Mua thjesht duke u bërë fillimisht një mik. Pastaj dashuria jonë do të shtohet deri në atë kohë kur zemra juaj të buçasë nga dashuria për Mua dhe po ashtu edhe Zemra Ime për ju.
Nuk është e komplikuar, që të filloni një nisje të re e të freskët, për t’u përgatitur për Mbretërinë Time. Filloni tani. Më thirrni Mua.
Nëse ju më doni Mua, shumë shpejt ju do të keni besim tek Unë dhe kjo do t'ju çojë drejt pastrimit të shpirtit tuaj. Ju do të jeni më të gëzuar, në paqe, dhe asgjë nga bota e jashtme nuk do të ketë ndonjë rëndësi, përveç dhimbjes së mëkatit, që ju do ta dëshmoni.
Unë jam këtu. Unë jam duke ju pritur. Unë dëshiroj që njerëzimi të jetë në gjendje që të arrijë të më njohë Mua ashtu si duhet.
Unë ju dua.
Jezusi juaj