E Diel, 21 Tetor 2012, në 17:50
Bija Ime fort e dashur, shumë njerëz që i pranojnë Mesazhet e Mia shqetësohen pa qenë nevoja rreth të ardhmes së botës. Kjo është e kuptueshme.
Ata kurrë nuk duhet të ndjejnë se duhet të lënë çdo gjë dhe të lënë pas dore jetën e tyre të përditshme, të neglizhojnë punën e tyre, familjen e tyre, apo dhe të dashurit e tyre, për të shpëtuar shpirtrat.
Unë, Jezusi juaj, do të kujdesem për të Mitë, gjithmonë. Ju nuk keni asgjë për të patur frikë nga Unë. Gjithçka që Unë kërkoj janë lutjet tuaja për të shpëtuar shpirtrat.
Ju nuk duhet të lejoni që frika për të ardhmen t'ju pushtojë, sepse kjo nuk është dëshira Ime.
Megjithatë, Unë e pres kohën tuaj në lutje dhe sakrificë, ashtu si Unë ju kam udhëzuar në këto Mesazhe. Vazhdoni me jetët tuaja të përditshme, megjithëse, Fjala Ime e Shenjtë do ta ndryshojë mënyrën se si ju e shikoni jetën, përgjithmonë.
Ju nuk do të ndjeheni më kurrë njësoj rreth të mirave materiale; ashtu siç i konsideronit në të shkuarën. Edhe pse ato do të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës suaj, ato nuk do të jenë më padroni i jetës suaj.
Ju duhet ta kujtoni se nuk mund t'i shërbeni dy padronëve, sepse ka një padron, dhe ai është Hyji.
Unë nuk pres që dishepujt e Mi të lënë gjithçka për të më ndjekur Mua. Unë nuk pres që ndjekësit e Mi të largohen nga përgjegjësitë e tyre të përditshme për të ndjekur Mesazhet e Mia. Jo, gjithçka që Unë kërkoj është dashuria juaj. Ju duhet të ndiqni Ligjet e Hyjit. Bëjeni jetën tuaj sipas Mësimeve të Mia. Nderojini Sakramentet. Tregoni dashuri ndaj njëri-tjetrit, dhe lutuni për shpirtrat e atyre që nuk mund ta ndihmojnë vetveten.
Shkoni në paqe, me dijen se Mëshira Ime është e madhe, dhe se Dashuria Ime për njerëzimin do t’i asgjësojë veprat e bishës dhe vuajtjet e tmerrshme që ai shkakton në këtë botë.
Qëndroni në paqe. Unë ju bekoj.
Jezusi juaj
https://fatherofloveandmercy.wordpress.com/2012/10/21/you-must-not-allow-fear-of-the-future-to-overwhelm-you-for-that-is-not-my-desire/