Kerko Mesazhet ketu

Wednesday, 28 November 2012

Priftërinjtë e Mi të dashur dhe shërbëtorët e shenjtë, mos kini frikë nga Fjala Ime

E Premte, 23 Nëntor 2012, në 21:45

Bija Ime fort e dashur, persekutimi kundër profetëve dhe vizionarëve të Mi po intensifikohet tani ndërsa kundërshtimi ndaj këtyre mesazheve shtohet.

Unë ju them atyre prej jush, veçanërisht për priftërinjtë e Mi të dashur dhe shërbëtorët e shenjtë, të mos kini frikë nga Fjala Ime. Frika dhe pasiguria që po përjetoni nuk vjen nga Unë. Nëse nuk vjen nga Unë, atëherë ju duhet ta pyesni veten se prej nga vjen?

Fjala Ime e Shenjtë gjithmonë has rezistencë.

Gjatë kohës Sime në tokë, priftërinjtë e asaj kohe, Farisenjtë, bënin çfarë të mundeshin për të argumentuar me Mua. Ata përpiqeshin, në çdo lloj rasti, të më ngatërronin Mua, të më bënin pyetje, me qëllimin për të më bërë Mua të bija në kundërshtim me Fjalën e Hyjit, por ata dështuan.

Unë qëndroja i heshtur kur ata përpiqeshin të më bënin Mua t'iu përgjigjesha pyetjeve për të cilat ata e dinin se Unë nuk isha i përgatitur t’iu përgjigjesha.

Ju e shikoni se, megjithëse ata e praktikonin fenë e tyre; mbanin shumë ceremoni të komplikuara, visheshin me rroba të shtrenjta, atyre iu mungonte një gjë. Ata nuk kishin as edhe një grimcë përulësie, sepse ata, gabimisht besonin se, për shkak të rolit të tyre si shërbëtorë të shenjtë, ata ishin përmbi vëllezërit e tyre.

Ata e flisnin, e predikonin dhe e paraqisnin në vende të hapura, si profetë, Fjalën e Shenjtë të Atit Tim. Prapë ata nuk e kuptonin me të vërtetë premtimin e bërë nga Ati Im, dhe as mësimet që Ai iu dha atyre përmes profetëve. Ata nuk arrinin ta pranonin se koha për ardhjen e Mesisë së premtuar ishte duke ndodhur në kohën e tyre.

Ata besonin se kjo ngjarje do të ndodhte në të ardhmen.

Ata ndjeheshin të turbulluar nga përgjigjet e Mia, nga mësimet e Mia dhe nga jeta e thjeshtë që Unë bëja. Prapë, ata ndjeheshin të tërhequr ndaj Meje dhe vazhdonin të ktheheshin, herë pas here, për të më sfiduar Mua.

Pastaj ata ndjeheshin të kërcënuar për shkak të njohurive të Mia për çështjet shpirtërore, një fakt të cilin ata nuk mund ta mohonin.

Ata më torturonin Mua. Unë iu përgjigjesha pyetjeve të tyre, sipas Vullnetit Hyjnor të Atit Tim. Pastaj Unë qëndroja i heshtur kur ata e drejtonin gishtin kundër Meje të zemëruar.

Për gjithë njohuritë e shpallura të tyre mbi Fjalën e Hyjit, ata ranë në kurthin e përgatitur nga mashtruesi. Ata besonin se njohuritë e tyre ishin më të larta ndaj njohurive të Mia.

Hierarkia e kishës me nivele që ata kishin krijuar ishte si një monarki mbretërore. Mbreti që ata nderonin nuk ishte Hyji por mbretërit e tyre, të caktuar prej tyre. Shtresa e lartë kishte fare pak komunikim me shërbëtorët e ulët që drejtonin fiset e tyre. Ndërsa për njeriun e varfër e të përulët, ata kishin fare pak kohë për të.

Sa e fyenin ata Atin Tim. Sa më torturonin ata Mua. Ata kishin gjakun e shumë vetave në duart e tyre, dhe prapë mundoheshin, që në sytë e publikut, t'i mbanin ato të pastra.

Edukimi i tyre do të thoshte se ata besonin që vetëm ata mund t’i interpretonin Shkrimet e Shenjta me korrektësi. Fjala Ime u trajtua si Herezi.

E njëjta gjë është e vërtetë sot. Sa pak nga shërbëtorët e Mi të shenjtë janë të përgatitur për Ardhjen Time të Dytë. Njohja e tyre si Ministra të Shenjtë në Kishën Time mund të krijojë përçarje, të cilën Unë nuk e kam autorizuar.

Këta njerëz të ditur të teologjisë me shumë vite edukimi nuk arrijnë që t’i kuptojnë Mësimet e Mia; profecitë apo mënyrën se si Unë flas.

Ju që e vini në pyetje Fjalën Time apo përpiqeni të krijoni mospërputhje, duke e krahasuar atë me njohuritë tuaja të pasakta të Shkrimit të Shenjtë, ju duhet të ndaloni tani.

A nuk keni mësuar asgjë? A nuk e pranoni se koha është afër dhe se Unë jam duke ju përgatitur?

Armiqtë e këtij, Misionit Tim të Shenjtë për t'ju përgatitur për Ardhjen Time të Dytë, janë të shumtë.

Sulmet janë të ashpra. Çdo drejtim, çdo kthesë dhe çdo hap që Unë e ndërmarr, përmes këtyre mesazheve, has në pengesa.

Nëse nuk e pranoni Premtimin Tim për të ardhur përsëri, atëherë ju duhet t’i bëni vetes pyetjen. Cili është roli im në Emrin e Hyjit? A është thjesht të administroj Sakramentet e Shenjta? Jo ky nuk është i vetmi rol për të cilin ju keni qenë thirrur.

Kur ju i sulmoni Mesazhet e Mia ashtu si po e bëni, ju më bëni Mua të lotoj me dëshpërim dhe trishtim.

A nuk keni qenë paralajmëruar që të qëndroni në gatishmëri, sepse ju nuk e dini ditën apo orën se kur Unë do të kthehem? Është koha që ju ta zgjoni shpirtin tuaj, të lexoni Fjalët e përmbajtura në Librin e Atit Tim dhe pastaj të luteni që Unë t'ju bekoj me dhuratën e dijes.

Ju që më refuzoni Mua, ngaqë jeni të kujdesshëm dhe të shqetësuar se mos nuk jam Unë, Jezusi juaj, që po flet, atëherë Unë ju fal. Unë e kuptoj se sa e vështirë është, por me kalimin e kohës, ju do ta ndjeni Dashurinë Time t'ju pushtojë.

Për ju që refuzoni të më dëgjoni Mua, atëherë ju jeni fajtorë për mëkatin e krenarisë.

Për ata prej jush që publikisht e dënoni Fjalën Time, e copëtoni atë dhe deklaroni se Mesazhet e Mia vijnë nga i ligu, atëherë jeni të humbur për Mua. Kaq të larguar jeni ju, pavarësisht nga besimi juaj arrogant se njohuritë tuaja mbi çështjet shpirtërore nga librat, ju bëjnë më të denjë të flisni në Emrin Tim, atëherë ju duhet ta dini këtë.

Më sillni Mua një shpirt të thjeshtë, me një zemër të pastër, që më do Mua për shkak se kush Unë Jam dhe ata do të bashkohen me Mua në Parajsë.

Më sillni Mua një shpirt, të mbushur me krenari që e flet me zë të lartë Fjalën e Hyjit, dhe Unë do ta flak atë tutje.

Kini besim tek Unë me një zemër të përulët dhe Unë do të hedh Hiret e Mia mbi ju.


Më doni Mua pa kushte dhe ju do ta njihni Zërin Tim në këtë kohë. Ju jeni shpirtrat me fat. Por prapë, janë shpirtrat që e kanë larguar veten nga Unë, të cilët i dëshiroj dhe i kërkoj më së shumti.

O ejani tek Unë, shërbëtorët e Mi të shenjtë. Unë ju jap të Vërtetën sepse Unë dua që ju ta ripërtërini besnikërinë tuaj ndaj meje. Mosbindja ndaj Mësimeve të Mia dhe mosarritja për ta pranuar dobësinë tuaj krijon një hendek mes nesh.

Për ata shërbëtorë të shenjtë që kanë kryer mëkate të rënda të mishit, ju duhet të vini tek Unë që të mund t'ju mbaj. Pranojini mëkatet tuaja dhe Unë do t’i ripërtërij shpirtrat tuaj që ju të jeni të aftë të ndihmoni për shpëtimin e shpirtrave të tjerë përpara se Unë të vij përsëri.

Ju duhet të dëgjoni. Nëse ju keni dyshime, atëherë Unë e pranoj këtë. Megjithatë, nëse ju provoni t’i lëndoni profetët e Mi, ju do të vuani për këtë. Do të jetë shumë më mirë për ju të qëndroni të heshtur. Ju duhet të jeni të gatshëm të dëgjoni dhe ta përulni veten tuaj para Syve të Mi. Vetëm atëherë ju do të jeni të përshtatshëm për të përfaqësuar Trupin Tim mbi tokë.

Jezusi juaj