Bija Ime fort e dashur, ti duhet ta pranosh se kur ndjekësit e Mi besojnë në këto Mesazhe, kjo do t’iu sjellë atyre një mundim në shpirt herë pas here.
Shumë vetë do të gëzojnë kur ta lexojnë Fjalën Time të Shenjtë dhe do e pranojnë atë si një mrekulli.
Edhe të tjerë gjithashtu do t'i pranojnë Mesazhet e Mia, por në disa ditë ata do të jenë të ndarë më dysh prej dyshimeve që do t'i pushtojnë. Këto dyshime janë të natyrshme.
Sepse disa vetë do të vënë në pyetje në vazhdimësi nëse ato me të vërtetë po vijnë prej Qiellit. Pastaj ata do të mbushen me ankth, sepse po e kuptojnë se jetët e tyre kanë për të ndryshuar dhe se Ardhja e Dytë do të dëshmohet prej tyre.
Kjo do të thotë se jetët që ata kanë bërë, deri tani, do të ndryshojnë përtej njohjes.
Kjo është frikësuese për shumë vetë, sepse ata dëshirojnë të mbeten të kapur pas jetëve të tyre të vjetra të vet-kënaqjes, sado që ishin të pakëndshme.
Frika për të ardhmen, frika ndaj Dorës së Hyjit dhe frika ndaj ushtrisë së Satanit i shqetëson ata. Megjithatë, ndërsa Mesazhet e Mia mund të shkaktojnë frikë në zemrat e tyre, herë pas here, ato sjellin gjithashtu ngushëllim.
Sepse një gjë është e sigurtë. Ata do ta ndjejnë Shpirtin Tim të Shenjtë në shpirtrat e tyre dhe sapo kjo të ndodhë ata do të familjarizohen me Dashurinë e Hyjit.
Dashuria e Hyjit, sapo të ndjehet nga njeriu, është diçka që askush nuk mund të jetojë më pa atë. Ajo sjell paqe. Prandaj, pavarësisht se sa të frikësuar ju, ndjekësit e Mi, mund të jeni, ju duhet ta mbani mënd se Unë, Jezusi juaj, kurrë nuk do t’ju braktis.
Ju jeni të Mitë.
Unë jam Jeta në shpirtrat tuaj. Përmes Meje, ju do të shpëtoni. Unë jam plot me Mëshirë për shpirtrat që kthehen tek Unë për ndihmë. Unë nuk do t'ju lë të vuani në duart e ndjekësve të Satanit. Unë do t'ju mbuloj me Gjakun Tim të Çmuar. Ju nuk keni fare pse të frikësoheni.
Përkundrazi, juve po ju jepen hiret për ta përgatitur veten tuaj. Tani ju duhet të jeni të guximshëm, mos lejoni që dyshimet ta zbehin dashurinë tuaj për Mua apo t'ju verbojnë ndaj të Vërtetës së këtyre Mesazheve.
Ato janë Dhurata Ime për ju. Ato po ju jepen që ju të jeni të mbrojtur dhe të mbajtur të sigurt nga lëndimi.
Gjithmonë më kërkoni Mua që t'jua largoj frikën sepse ato mbillen si fara pakënaqësie në mendjen tuaj, prej të ligut me qëllim që t'ju çorientojë.
Unë ju bekoj. Unë ju jap paqe. Unë ju jap Mbrojtjen Time. Kini besim tek Unë gjithmonë.
Jezusi juaj