Bija Ime fort e dashur, Dashuria Ime është kaq e fuqishme, saqë tani po ndjehet edhe nga ata që nuk e njohin Hyjin.
Pavarësisht nga ligësia e pranishme në botë, njerëzit tani ndjejnë në zemrat e tyre një dashuri për të tjerët, e cila nuk përputhet me korrupsionin, që gjendet brenda shpirtrave, dhe që do t'i çudisë ata.
Kaq papritmas do t’ua përshkojë shpirtrat kjo dashuri, saqë shumë prej tyre do të shpërthejnë në lot. Këto lotë dashurie, kaq të pastër në zemrat e tyre, do t'i copëtojnë ata më dysh. Ata nuk do ta dinë përse ndjehen kështu ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre. Ata gjithashtu do ta ndjejnë këtë dashuri të vërtetë dhe të veçantë për Krijuesin e tyre, Hyjin Atë. Prapë ata nuk do ta pranojnë se Ai ekziston. Në të kundërt, shumë do të enden dhe do ta pyesin veten.
Çfarë është kjo dashuri e pabesueshme, por e fuqishme, që unë e ndjej në zemrën time? Si mund të ndodhë kjo, nëse nuk ka Hyj? Si mund ta ndjej unë këtë dashuri, nëse jam thjesht një produkt i evolucionit; një produkt i pjesëzave që janë krijuar nga toka?
E Vërteta, fëmijët e Mi, është kjo. Ju nuk jeni një pjesëz e tokës, një mbetje e kohës. Ju jeni një qenie e gjallë, një shpirt i gjallë, i cili ka kapacitetin për jetë të përjetshme, pa fund.
Ju vuani për shkak të mëkatit të Adamit dhe Evës, prindërve tuaj të parë. Ju mund buzëqeshni, të tallni apo të vini në lojë atë që ju e mendoni të jetë një histori e imagjinuar, por e Vërteta është se ju po jetoni një jetë jo të përkryer. Kjo jetë e vuajtjes është për shkak të mëkateve të prindërve tuaj të parë. Të njollosur me mëkatin e tyre, ju jeni të verbuar ndaj të Vërtetës së Hyjit, nga i njëjti gjarpër, që i mashtroi ata.
Ju besoni se jetoni në një botë të vërtetë, një botë të materies, që ka kohëzgjatje të kufizuar. Jeta juaj në tokë është e shkurtër. Trupi juaj plaket. Shëndeti juaj përkeqësohet. Me kalimin e kohës trupi juaj vdes. Neglizhojeni shpirtin tuaj, frymën e jetës tuaj, dhe ju s’jeni asgjë.
Pranojeni se ju jeni një fëmijë i Hyjit dhe jeta juaj në tokë do të bëhet më e rëndësishme, kur ju të jetoni një jetë sipas Ligjeve të Hyjit. Jeta juaj do të zgjatet, dhe do t'ju jepet një Dhuratë e madhe, Jeta e Përjetshme.
Po t'ju tregohej një vështrim i kësaj jete, për vetëm një orë, ju kurrë nuk do ta fyenit Atin Tim. Ju duhet ta dini se ju do t'i merrni këto Dhurata.
Ju do të jetoni me tërë familjen tuaj, ata të cilët kanë vdekur në gjendjen e hirit të Zotit, dhe ata që do të formojnë ushtrinë Time të mbetur në tokë.
Trupi juaj do të pastrohet dhe do të ri-krijohet në një gjendje të përsosur, të bazuar në moshën në të cilën ju e pranuat Dashurinë e Hyjit.
Ju do të jetoni në dashuri dhe paqe me të dashurit tuaj dhe fqinjët tuaj. Asnjëri prej jush nuk do të ketë nevojë për ndonjë gjë.
Do të ketë nivele të ndryshme në Parajsën e Re të 12 kombeve. Në nivelin më të ulët do të jenë qytetet dhe fshatrat, të gjithë duke punuar në një vend paqeje, dashurie, lumturie dhe kënaqësie. Askush nuk do të ketë nevojë për ndonjë gjë tjetër. Unë do të jem Mbreti i tyre, Zotëria i tyre, dhe Unë do të mbretëroj midis tyre, në Bashkim Mistik.
Pastaj do të jenë nivelet më të larta. Ato do t'i mbajnë të gjitha kombet së bashku, në bashkim me Mësimet e Mia, dhe të gjithë njerëzit do të rrinë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, dhe me kafshët e tokës, të mëdha e të vogla.
Të gjithë do të jetojnë duke ngrënë nga Pema e Jetës. Askujt nuk do t'i mungojë ushqimi.
Pastaj do të jenë qeveritë e kombeve. Ato do të sigurojnë që gjithçka të jetë në përputhje me Mësimet e Mia. Qeveritë e Mia do të qeverisen nga shenjtorët dhe apostujt e Mi.
Kjo do të vazhdojë deri në fund fare, kur ringjallja e dytë e të vdekurve do të ndodhë, për ballafaqimin përfundimtar.
Satani do të lirohet, së bashku me djajtë e tij, për një periudhë të shkurtër. Pastaj e gjithë ligësia do të shkatërrohet. Mëshira Ime, më në fund, do t'i paraqitet botës, në Qiellin e Ri dhe Tokën e Re të kombinuar.
Pastaj gjithçka do të zbulohet, kur misteri i Hyjit do t'iu tregohet të gjithëve, në Lavdinë e vet të plotë dhe përfundimtare.
Jezusi juaj