Kerko Mesazhet ketu

Tuesday, 30 October 2012

Shumë prej jush do të më mohojnë Mua duke i pranuar këto ligje të reja djallëzore

E Enjte, 11 Tetor 2012, në 10:03

Bija Ime fort e dashur, vështirësitë që hasin dishepujt e Mi, në këtë periudhë, janë të dyfishta.

Së pari, atyre iu duhet të dëshmojnë gënjeshtrat, që po shfaqen para tyre, prej qeverive jofetare, të cilat po ua imponojnë. Këto gënjeshtra, në formën e ligjeve të reja të propozuara, ideve të reja dhe rregullave të reja, bëjnë vetëm një gjë. Ato i thyejnë Ligjet e Hyjit. Ato janë ligjet e tolerancës, të cilat lejojnë lirshëm, që veprat e mëkatit të lartësohen në kushtetutat dhe kishat tuaja.

Tortura e dytë do të jetë për shkak të presionit, që do të vihet mbi ju, po të guxoni të flisni të Vërtetën, Fjalën e Hyjit. Guxoni të flisni të Vërtetën, bija Ime, dhe ju do të sfidoheni ashpër. Pastaj ju do të akuzoheni se jeni jo të krishterë dhe që ju mungon toleranca.

A e shikoni se si punon Satani? Ai i mashtron shpirtrat e dobët duke i bërë të besojnë gënjeshtra dhe të pranojnë mëkatin, duke e refuzuar atë, sikur të mos ekzistojë fare.

Këta njerëz, të lidhur ngushtë, nëpër të gjitha kombet, po e shtojnë presionin, me qëllim që t’i shkatërrojnë Kishat e Mia të Krishtera, dhe që ta bëjnë mëkatin të pranueshëm. Ata synojnë që të heshtin ndjekësit e Mi dhe aftësinë e tyre për ta shprehur haptas të Vërtetën e Fjalës Sime të Shenjtë.

Ju do të vuani për shkak të këtyre neverive. Kur t’ju ndodhë kështu, dijeni se Unë bashkohem ngushtë me zemrat tuaja.

Ju lutem të jeni të fortë, për hatrin Tim. Ju duhet të luteni për këta shpirtra të shkretë të zhgënjyer, sepse ata janë gurë shahu, në një lojë djallëzore, të komplotuar nga ata që nderojnë Satanin.

Mos u mashtroni, sepse pikërisht kur ju të mendoni se ligësia e tyre, e maskuar si tolerancë dhe dashuri për të drejtat e të tjerëve, e ka mundur njerëzimin, beteja do të intensifikohet.

Dora e Atit Tim do të godasë me një forcë të tillë, saqë ata, autorët e krimit, do të fshihen nga faqja e dheut. Ju kurrë nuk duhet të dëshpëroheni dhe të mendoni se ky grup do t'i mposhtë dishepujt e Mi. Ata nuk do të jenë kurrë në gjendje që ta bëjnë këtë, megjithëse, mund të duket kështu, nganjëherë.

Zgjohuni, shërbëtorët e Mi të shenjtë. Ju nuk duhet t'ia lejoni vetes që të ngacmoheni apo të tërhiqeni brenda këtij plani djallëzor, të krijuar për ta përdhosur Fjalën e Hyjit.

Ju duhet t'i mbroni Mësimet e Mia, Shpëtimtarit tuaj, dhe kurrë të mos më mohoni Mua. Prapë, ju do të tundoheni për ta bërë këtë. Shumë prej jush do të më mohojnë Mua, duke i pranuar këto ligje të reja djallëzore.

Nëse e bëni këtë, Unë do të jem duke pritur, sepse nëse ju më thërrisni Mua, Unë do t'ju ngre lart. Me Ndërhyrjen Time Hyjnore, Unë do t'ju mbështes.

Ju lutem, recitojeni këtë Litani (3) Për të Mbrojtur Fjalën e Hyjit

O Jezus i dashur, na mbro nga gënjeshtrat, të cilat e fyejnë Hyjin.

Na mbro nga Satani dhe ushtria e tij. Na ndihmo të të duam Ty më shumë.

Na ruaj në betejën tonë. Na mbro në besimin tonë.

Na udhëhiq drejt Strehës Tënde të shpëtimit.

Na ndihmo që të ngrihemi dhe të mbrojmë Vullnetin Tënd të Shenjtë. Forcoje qëllimin tonë që të bëhemi dishepujt e Tu të vërtetë. Na jep kurajë.

Na jep besim.

Na drejto në Udhën e së Vërtetës. Na mbro kundër armikut.

Vërshoi Hiret e Tua të Mbrojtjes përmbi ne. Na ndihmo të shmangim tundimin.

Na sill më pranë Zemrës Tënde të Shenjtë.

Na ndihmo të mbetemi besnikë ndaj Teje në çdo kohë.

Amen.


Shkoni, ushtria Ime, me qetësi dhe paqe, duke e ditur se Unë jam pranë zemrave tuaja në këto kohë të frikshme. Kur të jeni të vetmuar, të ndjeheni të humbur apo të braktisur, dijeni këtë. Është atëherë kur Unë do të jem më pranë jush. Do jetë atëherë kur dobësia juaj do të kthehet në forcë të madhe, ndërsa forca e dukshme e armikut tuaj, do të venitet plotësisht.

Jezusi juaj