Sunday, 7 October 2012

Ky Mision është Dhurata e fundit e Profecisë, e miratuar nga Ati Im për të shpëtuar shpirtrat

E Shtunë, 1 Shtator 2012, në 10:25
Bija Ime fort e dashur, shpejtësia me të cilën Mesazhet e Mia po i jepen njerëzimit është treguese për urgjencën e këtij Misioni.
Kaq shumë njerëz në botë janë të humbur.
Kaq shumë shpirtra të gjorë nuk e njohin se kush është Hyji, Ati Im.
Kaq shumë vetë nuk më pranojnë Mua, Birin e Tij të dashur, si Mesia i Vërtetë.
Ky Mision është Dhurata e fundit e Profecisë, e miratuar nga Ati Im për të shpëtuar shpirtrat.
Këto Mesazhe janë për të Krishterët, Judenjtë, Myslimanët, ateistët, agnostikët dhe të gjithë ata që kërkojnë ngushëllim në besime fetare të krijuara nga njeriu.
Të gjithë njerëzit, të gjithë shpirtrat, kanë të njëjtën dëshirë për të gjetur kuptimin e jetëve të tyre.
Për shumë prej tyre të thyhet zemra që nuk besojnë në Hyjin, sepse ata besojnë se gjithçka përfundon kur jeta e tyre në tokë mbaron.
Vetëm po ta shikonin se çfarë ndodh kur shpirtrat e tyre vijnë para Meje. Ata më shohin Mua dhe mbeten pa fjalë sepse ata nuk mund ta besojnë se Unë jam i vërtetë. Gëzimi në shumë shpirtra të tillë, përputhet vetëm me lehtësimin, nëse ata vdesin në Gjendjen e Hirit të Zotit.
Megjithatë, gëzimi i atyre shpirtrave në errësirë, kur ata më shohin Mua, ndërpritet dhe ata largohen nga Unë, drejt thellësive të Ferrit në një gjendje tronditjeje dhe dëshpërimi.
Ata shpirtra që i njohin Mësimet e Hyjit, përmes profetëve të Tij dhe si rezultat i Misionit Tim në tokë, dhe që më refuzojnë Mua, ta dinë këtë.
Ju keni zgjedhur që t’ia ktheni shpinën të Vërtetës. Për shkak të Dashurisë Sime për ju, Unë do të bëj gjithçka të mundem për t’jua hapur sytë.
Unë do të sjell dhurata dhe për shkak të Mëshirës Sime të Madhe, Unë do t'ju shpëtoj. Unë ju bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht se cilin besim fetar ju ndiqni, që t'i dëgjoni këto Fjalë tani.
Ju të gjithë e dini se si është kur jeni pjesë e një familjeje.
Disa prej jush janë mjaft fatlumë për të qenë të lindur brenda një familjeje plot me dashuri.
Të tjerë nuk janë kaq të bekuar dhe mund të kenë vuajtur përmes vështirësive dhe errësirës brenda njësisë familjare. Të tjerë janë të humbur, të lënduar, të zemëruar dhe nuk mund të ndjejnë dashuri të vërtetë për familjet e tyre.
Disa janë të flakur në shkretëtirë që t'i dalin zot vetes pa asnjë mbështetje.
Shumë vetë, thjesht kanë nevojë për një ndihmë të çfarëdo lloji ku të mund të mbështeten, me qëllim që të ndjejnë shpresë. Kjo është edhe arsyeja që shumë shpirtra të gjorë përpiqen të gjejnë besime fetare, për t’ua siguruar lidhjen munguese.
Për fat të keq kjo thjesht i çon ata drejt një dëshpërimi të mëtejshëm. Sepse këto besime fetare janë të bazuara në një gënjeshtër.
Gënjeshtrat ju lëndojnë fëmijë. Ato ju japin një ndjenjë të rreme sigurie. Këto besime fetare nuk kanë aspak substancë sepse ato nuk ndjekin të Vërtetën, udhën e Zotit.
Thjesht dijeni se Ne, Trinia e Shenjtë, jemi familja juaj. Qielli dhe Toka e Re do të jenë shtëpia juaj e vërtetë.
Më ndiqni Mua në udhën e së Vërtetës, që Unë t'ju çoj tek shtëpia juaj legjitime.
Një shtëpi e mbushur plot me dashuri dhe gëzim, që është gjithçka që ju duhet të dëshironi.
Ju lutem hapini sytë, sepse ka ardhur koha që botës përfundimisht t’i paraqitet Besëlidhja e së Vërtetës.
Vdekja Ime në Kryq ishte një Besëlidhje për t'ju sjellë shpëtimin.
Ardhja Ime e Dytë është gjithashtu një Besëlidhje, Besëlidhja përfundimtare, për t'ju sjellë në shtëpi tek Hyji, Krijuesi i të gjitha gjërave.
Ati Im, Hyji Më i Larti, tani po më dërgon Mua që së shpejti t’iu sjell Shpëtimin të gjithë fëmijëve të Tij.
Unë mund ta bëj këtë dhe ta përmbush Premtimin e Atit Tim, vetëm nëse arrij ta shpëtoj çdo shpirt.
Mos e bllokoni Udhën Time për shkak të dyshimeve.
Mos i refuzoni përpjekjet e Mia për t’ia sjellë shpëtimin çdo shpirti.
Mos e humbisni rastin për të jetuar një jetë të përmbushur dhe plot me dashuri, gëzim dhe mrekulli, në paqe dhe harmoni, në Epokën e Re të Paqes.
Jezusi juaj