Kerko Mesazhet ketu

Tuesday, 23 October 2012

Mëkati mund të falet kur ju jeni gjallë. Jo pas vdekjes

E Mërkurë, 26 Shtator 2012, në 22:12

Bija Ime fort e dashur, Unë ta lejoj ty këtë vuajtje fizike intensive për të shpëtuar më shumë shpirtra sot. Ofroje këtë dhimbje për ata shpirtra të zgjedhur që ti duhet të më ndihmosh Mua t'i shpëtoj. Kjo dhimbje nuk do të zgjasë shumë, por kur ti të lehtësohesh, ta dish se shumë shpirtra u shpëtuan nga flakët e Ferrit dhe janë tani në Purgator duke pritur pastrimin.

Si një shpirt viktimë ti duhet ta pranosh se Unë mund të lejoj ty momente vuajtjeje për të ndihmuar në shpëtimin e shpirtrave të fëmijëve të Hyjit. Një ditë, ti do t'i takosh këta shpirtra dhe atëherë do ta kuptosh se sa shumë gëzim i sjell kjo Atit Tim. Dije se kur ti vuan, Unë vuaj me ty për të lehtësuar dhimbjen tënde. Ti nuk je vetëm. Kur ti e ndjen se nuk mund të marrësh frymë, kjo është e njëjta ndjesi e mbytjes e ndjerë nga shpirtrat që, pas vdekjes, përballen me tymin e flakëve të Ferrit.

Ah sikur njerëzit ta dinin të Vërtetën e jetës pas vdekjes. Pasi shpirti e lë trupin, nëse është në gjëndjen e Hirit apo jo, Satani e torturon përmes fuqisë së joshjes. Ai përpiqet, edhe atëherë, që të tërheqë shpirtra drejt tij. Lutja për këta shpirtra është shumë e rëndësishme.

Unë i tërheq shpirtrat drejt Dritës Sime. Por vetëm ata që janë në Gjendje Hiri mund ta durojnë Fuqinë e Dritës së Mëshirës Sime. Nëse ata nuk janë të pastër në shpirt, atëherë ata duhet të pastrohen në Purgator.

Gjenden shumë nivele në Purgator, bija Ime dhe, në varësi të mëkateve të kryera prej shpirtit, ato do të mbushen me Zjarrin pastrues të Shpirtit të Shenjtë.

Purgatori është i dhimbshëm për shpirtin dhe ata që duhet të kalojnë kohën atje e ndjejnë atë si një dhimbje fizike sikur të ishin akoma gjallë.

Asnjë njeri të mos i nënvlerësojë sakrificat që nevojiten për t'i ruajtur shpirtrat e tyre në një gjendje të denjë për Mbretërinë e Atit Tim.

Ati Im i do të gjithë fëmijët e Tij por shpirtrat duhet ta fitojnë të drejtën për të qenë të denjë të hyjnë në Mbretërinë e Atit Tim. Për t’u bërë të denjë ata duhet ta shpengojnë veten në Sytë e Mi ndërsa janë akoma gjallë. Ata duhet të bëjnë shpërblesë për mëkatet e tyre me një zemër të sinqertë.

Madje edhe në momentin e vdekjes, një mëkatar mund të përfitojë nga Mëshira Ime e Madhe duke më kërkuar Mua që t'ia fal mëkatet e tij. Unë do ta rrëmbej atë dhe do ta marr në Krahët e Mi. Pastaj Unë do të derdh Mëshirën Time mbi të, dhe më pas do ta marr për dore drejt Portave të Parajsës.

Mëkati mund të falet kur ju jeni gjallë. Jo pas vdekjes.

Jezusi juaj